Emërohet drejtori i ri i Kadastrës në Durrës. Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për “BalkanWeb” se kjo detyrë i është besuar Artur Çobanit, ndërsa ai do të zëvendësojë Liridon Pulën. Ky i fundit u arrestua dhe më pas u la i lirë, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ditën e nesërme pritet që Artur Çobani të bëjë prezantimin e tij në institucionin që do të drejtojë. Kujtojmë se ai më herët ka qenë drejtor i auditit në Drejtorinë e Përgjithshme të Hipotekës si dhe ish-prokuror.

Ndërkohë Liridon Pula u arrestua pak ditë më parë nga ana e Krimit Ekonomik, nën dyshimet se së bashku edhe me zyrtarë të tjerë, kishin tjetërsuar dhe abuzuar me pronat, kryesisht në bregdet.

Arrestimi i kreut të Kadastrës në Durrës solli një përplasje mes qeverisë dhe prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj, i cili firmosi për arrestimin e tij. Prokurori Ndoja u akuzua nga kryeministri Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe, se mbështet bandat e krimit dhe se ka ushtruar presion ndaj kreut të kadastrës në Durrës.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb