Pas emërimit të Miroslav Lajčák si përfaqësuesi i ri Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, vjen një reagim nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë.

KASH ka përshënduar angazhimin në rritje të BE-së për stabilizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për Çështje të Tjera të Rajonit të Ballkanit Perendimor.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka uruar suksese zotit Lajčák në misionin e tij të rëndësishëm dhe beson se ai do të promovojë politikat dhe interesat e BE-së në rajon, duke luajtur një rol aktiv në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si dhe përmirësimin e marrëdhënieve të Fqinjësisë së Mirë dhe pajtimin ndërmjet partnerëve në Ballkanin Perendimor.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dëshiron të ripërsërisë se statusi i Kosovës, si shtet i pavarur multietnik, brenda kufijve të tij të njohur ndërkombëtarisht, të përcaktuar në opinionin e Komitetit të Arbitrazhit të Badinterit, të konfirmuar në Paketën Ahtisaari dhe të miratuar nga GJND, nuk ka më nevojë për diskutime të mëtejshme, për arësye se ai i ka shërbyer në mënyrë thelbësore paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe më gjerë.

KASH ushqen pritshmëri të larta se përvoja dhe mençuria e një diplomati veteran do të mbizotërojë mbi çdo qasje që mund të shkaktonte një rreth vicioz krizash dhe do të hapte Kutinë e Pandorës në Ballkanin Perendimor.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se politikat parimore të BE-së, ekspertiza e gjerë e Z. Lajčák dhe përpjekjet e tij për të adresuar çështjet e pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të lehtësojnë njohjen e ndërsjellë të të dy shteteve të pavarura fqinje–konkretisht Kosovës dhe Serbisë – duke njohur kësisoj dhe realitetet tashmë të mirë-përcaktuara në terren”, shkruhet në reagimin e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: