TIRANE– Ditën e hënë Shqipëria do të listohet në bursat ndërkombëtare për të marrë një borxh në vlerë 500 milionë euro. Për ministrin e Financave, Arben Ahmetaj kjo shumë nuk do të jetë borxh i ri, por një menaxhim i borxhit ekzistues, që Qeveria bleu në 2015-n me vlerë 450 milionë Euro.

Ndërsa pjesa tjetër do të shërbejë për nevojat që vendi ka për borxh në vitin 2019 dhe 2020.

“Dua t’ju siguroj që kjo procedurë nuk nënkupton rritje të mëtejshme të borxhit. Ajo është brenda strategjisë së menaxhimit të borxhit”, tha ministri.

Teksa nuk dha një shifër sesa pritet të shkojë norma e interesit, ministri Ahmetaj tha se interesi i eurobondit do të jetë më i ulët se ai i viti 2010.

Komisioni i Ekonomisë miratoi projektligjin i cili kaloi me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, çka i hap rrugën Ministrisë së Financave të bëhet gati për të dalë në treg.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb