VJENE – Ministrat e jashtëm të rajonit kërkojnë zgjidhje nga Bashkimi Europian për krizën e emigrantëve, me të cilën po përballen kryesisht vende si Serbia dhe Maqedonia. Në një konferencë të përbashkët në Samitin e Vjenës, ministri i jashtëm serb dhe ai i Maqedonisë theksuan se këto dy vende po përballojnë barrën më të rëndë, pasi mijëra emigrantë kalojnë çdo ditë në kufijtë e tyre.

Kryediplomati serb Ivica Dacic theksoi se Serbia dhe Maqedonia nuk duhen fajësuar për situatën me emigrantët, pasi po bëjnë të pamundurën për t’i trajtuar në mënyrën më të mirë.


“Nevojitet me shumë kontroll për emigrantët. Ne kemi barrën më të lartë. Kolegu im maqedonas e di shumë mirë këtë, po përballemi me një situatë të vështirë, ku mijëra emigrantë janë në vendet tona. Do të kërkoja të kemi një perspektivë më të qartë evropiane dhe jo të vendosen mure mes vendeve tona. Emigrantët nuk duhen fajësuar për situatën dhe për vendet e origjinës. Serbia dhe Maqedonia nuk duhen fajësuar për situatën me emigrantët. Ne po bëjmë të pamundurën për t’i trajtuar në mënyrën më të mirë. Por kufiri është bërë vend ku kalojnë mijëra njerëz çdo ditë”- deklaroi Dacic.


Nga ana e tij, edhe ministri maqedonas, Nikola Poposki theksoi se samiti i Vjenës është një inkurajim që të gjendet një zgjidhje për problemin e emigrantëve.


“Duhet te mendojmë se çfarë duhet të bëjmë. Kemi pritur qindra mijëra njerëz. Po përballemi me nga 4000 emigrantë në kufirin tonë. Maqedonia dhe Serbia janë vendet që kanë marrë numrin më të madhe të emigrantëve. Si do të gjejmë një zgjidhje përfundimtare, duke ditur se parashikimet e UNHCR-së parashikojnë deri në 3000 emigrantë në ditë. Duhet të ketë një përgjigje të Bashkimit Evropian, sepse ndryshe nuk mund të zgjidhet.”- u shpreh Poposki.
Vendet e Ballkanit po përshkohen nga sirianë apo irakianë që i largohen vatrave të luftës por gjithashtu edhe nga shqiptarë, kosovarë apo serbë në kërkim të një jete më të mirë. Me autobus, në këmbë duke kaluar nën telat me gjemba ose me trena, skenat kaotike po shtohen në Evropën Lindore ku mijëra emigrantë po avancojnë në brendësi të kontinentit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon u kërkoi dje shteteve, në Evropë e gjetkë të japin shembuj mirëkuptimi dhe të bëjnë më tepër për të kapërcyer krizën e emigrantëve.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: