Këngëtari Ermal Meta është një prej shumë shqiptarëve që mbërritën në Itali si emigrantë nga Shqipëria. Sot në vendin fqinj ai njihet si  një nga kantautorët më të mirë. Nëse atëherë italianët do t’i mbyllnin dyert, nuk dihet nëse sot do shkëlqente përmes zërit të tij.

Duke qenë emigrant, kjo e ka bërë Ermal Metën të vihet kundër vendimeve të ministrit të brendshëm italian, Matteo Salvini, që u mbyll portat anijeve të refugjatëve që vijnë nga Libia.

“Nëse do të kishte ndodhur 24 vjet më parë kjo që po ndodh tani, nuk do të isha këtu, duke bërë muzikë.. Dhe si unë, edhe shumë të tjerë”. Fituesi i San Remos kujton mbërritjen në Bari, teksa largohej nga Shqipëria, së bashku me të ëmën, vëllanë dhe të motrën në vitin 1994.

“Para kufijve ekzistojnë njerëzit, që i duhet dhënë një mundësi jetës”, shton ai shkruan “La Repubblica”. Për “Donna Moderna” Meta shprehet: “Ndihem keq me këtë që po ndodh. Nuk ekziston një e drejtë ‘lindjeje’ më shumë se një tjetër. Sot, një pjesë e botës vuan dhe kërkon të shpëtojë pikërisht ekzistencën, të mos vdesë. Shumë vite më parë, kjo pjesë e botës më takonte, sepse unë isha pjesë e saj. Dhe zgjidhjet nuk duan që t’i gjejnë. Ky stanjacion i të menduarit më kall frikën”.

Përplasa Meta-Salvini  ka nisur më herët. Salvini ishte kundër fitores së Metës në Sanremo. “Fitoi dyshja e antiterrorizmit Meta e Moro, por kishte edhe një tufë këngësh që flisnin për emigrantët që arratisen, që vijnë, që shpëtojnë,” tha në muajin shkurt sekretari i Legës, Salvini.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: