Një nga skuadrat surprizë të këtij sezoni në Serinë B italiane është SPAL, ekip i qytetit të Ferrarës, që me sa duket, ka një numër të madh ndjekësish shqiptarë. Emigrantët mbështetin prej vitesh klubin dhe me ngjitjen në Serinë B apo renditjen mes pretendentëve për t’u ngjitur në A, numri i tyre është rritur ndjeshëm.

Në Ferrara jemi rreth 1500 shqiptarë”, ka shpjeguar për mediat lokale një nga tifozët shqiptarë, Agustin Tafa. “Më shumë se 500-600 kanë marrë edhe pasaportën italiane. Ka disa prej nesh që e ndjekin ekipin që në vitin 1995, shumë të tjerë janë afruar gjatë sezonit të kaluar dhe ngjitja në Serinë B ka rritur edhe më shumë vëmendjen ndaj klubit”.

Sipas tij, kjo krahinë është e lidhur ngushtë me Shqipërinë për arsye nga më të ndryshmet. “Trajneri ynë i madh, Xhani De Biazi, e ka drejtuar SPAL në të kaluarën. E presim në Ferrara për një nga ndeshjet dhe duhet të jetë miku ynë për drekë dhe për darkë, bashkë me ndihmësin e tij, Tramexanin. A ju kujtohet Bogdani? Tani drejton kombëtaren U-19, por kur luante te Siena thuajse ishte si i shtëpisë në Ferrara. Kushëriri i tij studionte në Universitet këtu dhe ai vinte shpesh për vizitë, njëherë na solli edhe një televizor. Një person i shkëlqyer”.

Tafa ka treguar se shqiptarët organizohen sa herë luan skuadra për ta ndjekur bashkë, kanë marrë edhe fugon me qera për të festuar ngjitjen e klubit. Por ndërsa ndjekin me entuziazëm ecurinë e ekipit, tifozët shqiptarë kanë një ëndërr: të shohin bashkëkombësit e tyre të luajnë me fanellën e SPAL, mundësisht disa prej emrave që aktualisht luajnë në Kategorinë Superiore, raporton Panoramasport.

“Disa sugjerime për merkaton: Idriz Batha, mesfushor i Partizanit; shoku i tij i skuadrës, portieri Alban Hoxha; Liridon Latifi, mesfushori i Skënderbeut dhe Gentjan Muça, mbrojtësi i Tiranës, shumë i fortë. Nëse drejtori sportiv blen ndonjë nga këto elementë, i gjithë komuniteti shqiptar do të vijë rregullisht në stadium”, premtoi përfaqësuesi i tifozëve shqiptarë të qytetit të Ferrara.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: