Greqia ka marrë vendim sot që të shtojë masat e sigurisë në kufijtë e saj dhe do të zhvendosë migrantët nga kampet që gjenden në ishujt grek, në përpjekje kështu për t’u përballur me valën e re të migrantëve.

Këshilli i Qeverisë për Çështje të Jashtme dhe Mbrojtje sot ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, pas arritjes së një numri të madh të migrantëve në Greqi më herët gjatë kësaj jave, transmeton Reuters.

Qeveria greke tha sot se përveç zhvendosjes së azilkërkuesve nga kampet që gjenden në ishuj, e që janë të mbingarkuar, po ashtu do të rrisë sigurinë në kufi. Kjo gjë, sipas Athinës zyrtare, do të bëhet në bashkëpunim me agjencinë e Bashkimit Evropian, Frontex, por edhe me NATO-n. Po ashtu, Greqia do të rrisë patrullat në kufi, me qëllim që të identifikojë azilkërkuesit, të cilëve u është refuzuar azili, por që vazhdojnë të qëndrojnë në këtë shtet.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit për Çështje të Jashtme dhe Mbrojtje po ashtu është vendosur që të shkurtohet procedura e azilit – që mund të zgjasë për disa muaj – dhe do të hiqet faza e apelimit për azilkërkuesit që u është refuzuar azili dhe të cilët do të deportohen. Për më tepër, Qeveria greke tha se do të bashkojë 116 fëmijë me familjet e tyre, që gjenden në vende të tjera evropiane.

Më 2015, në Greqi kishin arritur afro një milion refugjatë dhe migrantë – kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës. Një marrëveshje ndërmjet BE-së dhe Turqisë më 2016 zvogëloi fluksin e migrantëve, por mbyllja e të gjithë kufijve në Ballkan, bëri që mijëra migrantë të mbesin në Greqi.

Organizatat humanitare kanë kritikuar Greqinë se nuk po bën mjaftueshëm për të përmirësuar kushtet në kampet ku gjenden migrantët. /Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb