Nuk kanë të sosur problemet e sirianëve dhe irakienëve që i largohen luftës në shtetin e tyre duke marrë arratinë. Një grup peshkatarësh turq pretendojnë se Roja Bregdetare Greke ka fundosur një gomone plot me emigrante sirianë që po kalonte në ujërat turke.

Në një video të postuar nga një prej peshkatarëve, dëgjohet një zë që e përshkruan aksidentin e dyshuar.

“Ka diçka që duket si shtizë në dorë,” thotë një prej burrave të anijes turke për një prej rojeve bregdetare greke. “E çanë gomonen”.

Një anije shihet që i afrohet gomones. Më pas kamera lëviz larg skenës. Kur kthehet sërish dhe fokusohet te gomonia e emigrantëve anija e madhe ka kaluar dhe po lundron tutje. Më pas duket që gomonia po fundoset.

Peshkatari turk thotë se anija i përket Rojes Bregdetare Greke, megjithatë pamjet janë tepër të paqarta për të dalluar ndonjë shenjë të anijes.

Rreth 50 njerëz, që besohet se janë me origjinë siriane, mendohet se kanë qenë në gomonen e në fjalë, e cila u mbyt në afërsi të provincës së Izmirit në Egje. Raportimet bëjnë me dije se peshkatarët dhe Roja Bregdetare Turke i shpëtuan njerëzit në bord dhe i nxorrën në bregun turk.

Zyrtarët grekë nuk e kanë komentuar ende videon.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: