TIRANË – Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti sot në një takim kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, i cili po e viziton këto ditë ditë Tiranën për herë të parë zyrtarisht, që pas marrjes së këtij posti.

Ata kanë ndarë me njeri –tjetrin problemet e mëdha që kanë përbërë shqetësim për të dy vendet, sidomos përmbytjet në Shqipëri dhe emigrimin masiv të kosovarëve.

Z.Basha ka shprehur mirënjohjen për kontributin që qeveria e Kosovës, forcat e sigurisë dhe bizneset e Kosovës dhanë për banorët të cilët ndodhen në vështirësi të mëdha në zonat e përmbytura. Nga ana tjetër, për problemin e emigrimit të qytetarëve të Kosovës, ai tha:

“Kjo situatë është një detyrim edhe më i madh për dy vendet, për të gjetur rrugët dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës. Pamundësia ekonomike i detyron njerëzit të ndërmarrin vendime të guximshme për të emigruar së bashku me familjen por kjo nuk mund të jetë zgjidhja për qytetarët tanë, as në Kosovë e as në Shqipëri. Është detyrë e jona, politikanëve në të dy vendet të ndërmarrim reformat dhe vendimet e duhura, për të siguruar jetën e qytetarëve në vendin e tyre.”

Më tej, gjatë diskutimit, Basha ka vlerësuar maturinë e treguar nga klasa politike e Kosovës në konstituimin e institucioneve të reja dhe dhënien fund të një periudhe të gjatë tranzicioni që vijoi mbas zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

Sfidat e institucioneve të reja janë të mëdha, – theksoi z.Basha, ndërsa shprehu besimin se klasa politike, parlamenti dhe qeveria e Kosovës do të arrijnë të ndërmarrin reformat e duhura dhe të rëndësishme për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për përshpejtimin e procesit të integrimit europian dhe liberalizimit të vizave.

Në përfundim, Basha, si lider i opozitës shqiptare, e ka garantuar z.Veseli se PD do të mbështesë fuqimisht intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe përshpejtimin e integrimit europian dhe euroatlantik të Kosovës. Njëherësh, vlerëson progresin e rëndësishëm të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, pjesë e rëndësishme e së cilës ishte dhe marrëveshja e arritur për drejtësinë. Vijimi i mëtejshëm i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve në terren mbeten me rëndësi të madhe, si përsa i përket mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, por edhe për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb