Emigrimi si udhëtim sa shqiptar po aq edhe i kombeve të tjera, kufijtë e dukshëm dhe të padukshëm, stigma, sfidat, vështirësitë dhe trupat që bartin kujtesë dhe gjurmë vijnë në kërcimin “Migrimi i madh” të koreografit shqiptar Blenard Azizaj, që jeton në Berlin. Shfaqja është pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit bashkëkohor në Tiranë, këtë të hënë e të martë.

Blenard Azizaj: “The Great Migration” është një pjesë që e kam krijuar në Gjermani, në “Dance company në Rostock. Është një trupë nga Gjermania me kërcimtarë nga vende të ndryshme të botës. Është një pjesë që flet për emigrimin sepse unë kam qenë vetë duke ecur nëpër male, kam sjellë momente nga jeta ime dhe nga jeta e njerëzve të tjerë emigrantë nëpër botë. Është performancë dinamike, si nga lëvizjet edhe nga muzika”.

Me muzikën e një kompozitori kilian, 7 artistë ngjiten në skenë me koreografinë e Azizajt, një artist që përmes kësaj pjese sjell udhëtimin e tij personal, nga një familje artistësh ne Fier, drejt skenave të Berlinit dhe atyre gjermane.

Blenard Azizaj: U shkollova në Greqi si koreograf dhe pedagog dhe më pas kam shkuar në disa vende të botës duke kërcyer e marrë pjesë ne festivale. Unë tregoj pjesë nga jeta ime por sekush mund të nxjerrë imazhet e tij, ato që ka përjetuar sepse arti është diçka që të prek, ndjen por secili ndjen edhe tema të tjera, sepse është e diçka e hapur.

Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor organizuar nga “Harabel” ka në program pjesë nga Angjelin Preljocaj, Eno Peçi, Gentian Doda dhe Azizaj, duke ju dhënë skenën e Teatrit të Operas dhe ArTurbinës, koreografëve shqiptarë që kanë gjetur udhën e suksesit në Paris, Vjenë, Berlin, si një ndërthurje e gjenezës shqiptare me skenat europiane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb