Delegacionet nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari janë takuar në Kuvajt për herë të parë që nga marrëveshja e pajtimit të Gjirit e muajit të kaluar për t’i dhënë fund përçarjes prej më shumë se tre vite.

Siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve e Emirateve të Bashkuara Arabe (WAM), në takimin në Kuvajt “të dy palët diskutuan mekanizmat dhe procedurat e përbashkëta për të zbatuar ‘Deklaratën Al Ula’ dhe theksuan rëndësinë e ruajtjes së unitetit të Gjirit, zhvillimit të veprimit të përbashkët në interes të vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe qytetarëve të tyre, si dhe arritjen e stabilitetit dhe prosperitetit në rajon”.

Ata po ashtu vlerësuan Riadin për pritjen e samitit dhe Kuvajtin për “përpjekjet e sinqerta” që ndoqi “për të shëruar përçarjen”.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti në një samit në qytetin saudit Al Ula ranë dakord për të rivendosur lidhjet diplomatike, tregtare dhe të udhëtimit me Katarin, të cilat u ndërprenë në vitin 2017 për “mbështetje të terrorizmit”.

Shteti i pasur me naftë, Katari, mohoi akuzën dhe hodhi poshtë kushtet për t’i dhënë fund bllokadës.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb