DUBAI

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë gjetur rezerva të mëdha të gazit natyror në rajonin midis Saih Al Sidra në Abu Dhabi dhe Jebel Ali në Dubai.

Zbulimi i ri vlerësohet të ketë 2,28 trilionë metra kub rezerva të reja gazi, tha në llogarinë e tij personale në Twitter Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum, sunduesi i Emiratit të Dubait.

“Një marrëveshje bashkëpunimi strategjik u nënshkrua mes Kompanisë Kombëtare të Naftës së Abu Dhabit (ADNOC) dhe Autoritetit të Furnizimit të Dubait me qëllim të zhvillimit të burimeve të gazit në zonën midis emirateve të Abu Dhabit dhe Dubait, si pjesë e një projekti të përbashkët të quajtur Jebel Ali Project”, shtoi ai.

ADNOC do të investojë dhe furnizojë teknologji dhe ekspertizë për të zhvilluar dhe prodhuar burime të zbuluara të gazit, përveç kryerjes së analizave dhe eksplorimeve të reja në rajon për të vlerësuar më shumë burime të gazit dhe për të kryer një studim përfundimtar të kostos së prodhimit të tij, sipas marrëveshjes.

Kjo shënoi zbulimin e dytë të madh të gazit natyror në EBA në tre muajt e fundit.

Këshilli i Lartë i Naftës i Abu Dhabi (SPC) më 5 nëntor njoftoi se kishte zbuluar rezerva të reja hidrokarbure që përfshijnë 7 miliardë fuçi naftë dhe 1,64 trilion metra kub gaz konvencional, si dhe burime jo të zakonshme të rikuperueshme të gazit prej 4,53 trilionë metrash kub.

Zbulimi ka zhvendosur EBA-në nga pozita e shtatë në vendin e gjashtë në renditjen botërore të rezervave të hidrokarbureve.

Me zbulimin e fundit, vendi tani e ka rritur rezervat totale të gazit në 10,01 trilionë metra.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb