‘Tak Fak’
Emisioni Investigativ ‘Tak Fak’, u ndal këtë të hënë në qytetin e vogël të Roskovecit.
Aty ku na çoi denoncimi i znj. Sadete, e cila 32 vite më parë ia la në përdorim apartamentin e saj në katin e pestë një bashkëqytetari të quajtur Agron Mone. Por që Agroni pasi rriti fëmijët në këtë banesë, sot nuk ia liron apartamentin Sadetes.
Gazetarja Rovena Cërka shkoi në qytezën e Roskovecit dhe bisedoi me zonjën Sadete Lamanjaku.
Sadete Lamanjaku: Unë jam Sadete Lamanjaku. Problemi ynë është se kemi një banesë këtu në pallat në katin e pestë në Roskovec, ia kemi dhënë Agron Mones për përdorim. Ne ishim në Turqi, jetonim atje dhe i thamë të rrinte. Ai e mbajti, e ka mbyllur derën dhe ka shkuar në Greqi.
Gazetarja: Sa vite e mbajti në përdorim zotëria?
Sadete Lamanjaku: 15 vite ka aty.
Gazetarja: Ja keni dhënë si të thuash me qira, por pa i marrë para?
Sadete Lamanjaku: Absolutisht. I kemi thënë që vetëm të shkojë aty e të rrijë. Nuk i kemi marrë asgjë. Nuk ka as firmë, as kontratë, asgjë. Pretendimet e tij janë: më thotë mua shko ti tek shtëpia ime, të rri unë këtu te shtëpia jote, se kam bërë ndërtime unë, kam vënë derën, kam vënë dritaret, kam modifikuar banjën, Çelësat e apartamentit i ka ai. Kam certifikatë pronësie.
Gazetarja: Keni tentuar që të flisni me të, të ktheni paratë që ai i ka bërë investime dhe më pas të merrni shtëpinë?
Sadete Lamanjaku: Ai ka qëndruar aty, nuk i ka dhënë kush leje që të bëjë ndërtime. Unë e dua apartamentin siç e pata.
Gazetarja: I jeni drejtuar institucioneve?
Zonja Sadete: Po, policisë në Roskovec. Na kanë thënë që kur të vijë ai do bëjmë ballafaqim. Por ka 3 vjet që nuk ka ardhur. Jemi në pritje.
Gazetarja: Ju keni certifikatë pronësie, dhe zotëria sipas jush nuk disponon asnjë dokument?
Zonja Sadete: Nuk disponon asgjë.
Gazetarja: Pse nuk e hapni derën dhe të shkoni në banesë?
Zonja Sadete: Në asnjë mënyrë, të na akuzojë ne ai, të na thotë më ke marrë paratë, ose më ke plaçkitur shtëpinë.
Gazetarja: Pse nuk keni hapur procedurë gjyqësore?
Zonja Sadete: Nuk e kemi hapur. Pse të paguaj para unë, kur e kam banesën time? Prandaj iu drejtova Tak Fak-ut sepse aty kam shumë besim.
Gazetarja Rovena Cerka foli menjëherë me z Agron Mone.
Gazetarja: Unë jam Rovena Cerka dhe jam gazetare e emisionit ‘Tak fak’ në Neës 24. Si jeni?
Agron Mone: Shumë mirë jemi.
Gazetarja: Apartamenti i zonjës Sadete, e cila thotë se ka një problem me banesën e saj në Roskovec dhe që është zënë nga ju dhe e keni pasur në përdorim prej vitesh…
Agron Mone: Është e zënë nga unë apo e ndërruam ne? Si thotë ajo atje? Si është e zënë nga unë, kur ne ndërruam shtëpitë?
Gazetarja: Si e ndërruat ju shtëpinë?
Agron Mone: Ne atëherë kështu e ndërruam, ti do marrësh shtëpinë time, unë tënden.
Gazetarja: Keni bërë kontratë për ndërrimin?
Agron Mone: Jo, asgjë nuk kemi bërë. Unë te ajo shtëpi kam 32 vite që rri, e rregullova, e bëra.
Gazetarja: Pse e bëtë këtë shkëmbim?
Agron Mone: Sepse kisha dhe fëmijët që më rrinin te lagjja aty.
Gazetarja: Pse nuk bëni vazhdimin e procedurave dhe të shkojë secili në punët e veta?
Agron Mone: Do vemi, do paguash të gjitha taksat e shtëpisë. Te shtëpia ime çfarë ke për të paguar i thashë dhe shtëpinë që e rregullova. Bëjmë llogaritë sa shkojnë pllakat, dyert, dritaret etj dhe më kthe paratë te shkoj unë të rregulloj shtëpinë time. Por ajo nuk pranon të bëjë asgjë, nuk do të paguajë as drita, as ujë, asgjë.
Gazetarja: Për sa para flasim?
Agron Mone: 1 milion lekë bëjnë ato, veç dyert po them.
Gazetarja: Ju ka kërkuar zonja të ktheheni në Shqipëri dhe të flisni për këtë çështje? Jeni gati që të negocioni sërish me zonjën?
Agron Mone: Më kanë kërkuar kam shkuar, nuk pranuan. Thotë burri i saj që unë nuk paguaj asgjë atje. Në fund të nëntorit jam në Shqipëri se punoj në punë sezonale në Kretë. Do ia bëj hallall instalimet, suvatimet, çfarë kam bërë atje. Vetëm të më japë paratë që të rregulloj shtëpinë unë atje. Pastaj të marrë shtëpinë e saj ajo. Çfarë të bëj më shumë.
(BalkanWeb)