Presidenti francez, Emmanuel Macron, është nën presion për të emëruar një kryeministër të ri këtë javë pasi konservatori Michel Barnier, që u rrëzua me mocion mosbesimi, paralajmëroi se çdo qeveri do të përballet me sfidën e borxhit publik dhe ndarjeve të thella në shoqëri.
Qeveria e Barnier zhvilloi takimin e fundit të kabinetit me Macron të mërkurën. Ai falenderoi Macron për shkëmbimet “e sinqerta” që ata mundën të kishin gjatë tre muajve të tij si kryeministër i një koalicioni të pakicës, raportoi Le Monde. Por Barnier paralajmëroi për “ndarjet sociale, territoriale dhe rurale” që thyen Francën dhe “një ndjenjë braktisjeje” nga shumë njerëz mbi drejtësinë, arsimin, krimin, shëndetin dhe bujqësinë.
Barnier tha gjithashtu se borxhi financiar i Francës ishte një “realitet” që çdo qeveri e re do të duhej të përballej.
Macron mblodhi këtë javë liderë nga një pjesë e spektrit politik – duke përfshirë socialistët, centristët dhe krahun e djathtë Les Républicains – në një përpjekje për të formuar atë që ai e quajti një “qeveri të interesit kombëtar”. Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë që drejtohet nga Marine Le Pen dhe La France Insoumise (LFI) e krahut të majtë të Jean-Luc Mélenchon (LFI) nuk u ftuan.
Maud Bregeon, zëdhënëse e qeverisë në largim, tha se dy opsione ishin duke u shqyrtuar.
Së pari ishte “zgjerimi” i aleancës ekzistuese midis centristëve dhe të djathtës, duke nënkuptuar që disa politikanë në të majtë mund t’i bashkoheshin qeverisë.
E dyta do të ishte të bëhej një marrëveshje me partitë opozitare në të majtë për të mos mbështetur asnjë mocion mosbesimi – edhe nëse ato nuk do të merrnin pjesë në qeveri.
Rrëzimi i qeverisë e ka lënë Macron të përballet me krizën më të keqe politike të dy mandateve të tij si president.
Që kur ai thirri zgjedhjet e parakohshme parlamentare në qershor, parlamenti francez është ndarë midis tre grupeve pa shumicë absolute. Një aleancë e majtë mori numrin më të madh të votave, por nuk arriti një shumicë absolute; Grupi centrist i Macron pësoi humbje, por ende qëndron në këmbë; dhe Tubimi Kombëtar fitoi vende, por u pengua të kishte shumicë për shkak të aplikimit të votimit taktik nga e majta dhe nga qendra.
Udhëheqësi i Gjelbër, Marine Tondelier, pjesë e aleancës së majtë, tha këtë javë se Macron dhe grupimi i tij nuk ishin gati për ndonjë “kompromis apo lëshim”.
Macron kishte shpresuar që socialistët, të gjelbërit dhe komunistët të ishin larg aleancës me LFI-në, por udhëheqësit e partisë së tyre këmbëngulën se një kryeministër i ri duhet të emërohej nga e majta.
Të mërkurën, kreu i partisë Socialiste, Olivier Faure, foli kundër emërimit të mundshëm si kryeministër të aleatit të Macron, François Bayrou, i cili shihet si pretendent.
Faure i tha BFMTV se Bayrou, 73 vjeç, do të mishëronte “vazhdimësinë” dhe se donte të shihte një kryeministër “nga e majta”.
Udhëheqësit e partisë thanë se presidenti kishte premtuar se do të emëronte një kryeministër brenda 48 orëve. Por një zëdhënës i qeverisë tha se Macron nuk kishte përcaktuar ndonjë afat.
Qeveria në ikje zbuloi një projekt-ligj të posaçëm që synon t’i mundësojë shtetit të vendosë taksa nga 1 janari, bazuar në rregullat e këtij viti dhe të shmangë një mbyllje. Detyra e parë e qeverisë së re do të ishte prezantimi i një ligji të duhur buxhetor për vitin 2025 dhe miratimi i tij nga parlamenti.