Finalizohet operacioni ‘Baltëz’ në Fier. Uniformat blu bëjnë me dije se janë vënë në pranga tre persona, ndërsa janë sekuestruar edhe 17 thasë me kanabis. Gjithashtu në hetim janë edhe dy të mitur.

Bëhet me dije se u arrestuan Zylyftar Vizani, Paris Vizani dhe Esat Veizi.

Njoftimi:

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Fier.

Tentuan të hidhnin në lumë, thasët me lëndë narkotike, sapo panë shërbimet e Policisë, arrestohen në flagrancë 3 shtetas.

Në hetim dhe 2 shtetas të tjerë të mitur, të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrohen 17 thasë të mbushur me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale 176 kg, dhe pajisje vakumi që shërbenin për përpunimin e lëndës narkotike.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier dhe Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në inteligjencën informative, për një sasi të madhe lënde narkotike që e posedonte një shtetas, në ambientet përreth banesës së tij, në fshatin Baltëz, u zhvillua dhe u finalizua me sukses operacioni policor antidrogë i koduar “Baltëz”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Z.(P). V., 44 vjeç, P. V., 22 vjeç dhe E. V., 27 vjeç, banues në Baltëz, Fier.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetas të mitur, 14 dhe 16 vjeç, banues në Baltëz, Fier.

Këta 5 shtetas, në momentin që kanë parë shërbimet e Policisë, që kanë shkuar për kontroll, kanë tentuar të hedhin thasët me lëndë narkotike, në lumë, por janë kapur në flagrancë.

Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 17 thasët e mbushur me lendë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale 176 kg.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materialet u sekuestruan 2 peshore, gërshërë, 3 aparate celulare dhe pajisje të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: