Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Adriatiku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 31 kilogramë kanabis sativa, 2 automjete, 2 aparate celulare dhe targa automjetesh.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas po transportonin lëndë narkotike nga Kruja në drejtim të Fushë Mamurrasit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Adriatiku”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve:

Roland Muzhaqi, 33 vjeç, banues në Fushë Mamurras, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe Dritan Llani, 44 vjeç, banues në Krujë.

Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e shtetasit Sokol Kurti, 24 vjeç, banues në Krujë.

Këta shtetas u kapën në flagrancë gjatë operacionit, në oborrin e banesës së shtetasit Roland Muzhaqi, i cili do të blinte lëndën narkotike që e kishin transportuar nga Kruja, shtetasit Dritan Llani dhe Sokol Kurti. Ky i fundit ka mundur të largohet në momentin e ndërhyrjes së Policisë.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasi Roland Muzhaqi do ta shiste lëndën narkotike në doza, në qarkun e Lezhës.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitje të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb