BRITANI E MADHE
Agjencia Kombëtare e Antikrimit në Londër ka thelluar hetimet për kontrabandimin e disa personave në Britaninë e Madhe, kryesisht të shqiptarëve. Kontrabandimi i tyre bëhej me anë të kamionëve.
Hetimi, i udhëhequr nga Policia Federale Belge, ka çuar në arrestimin më herët të 12 personave në Belgjikë dhe në Gjermani, gjatë datave 23, 24 dhe 25 shtator 2019. Arrestimet u nxitën nga arrestimi i drejtuesit të dyshuar të bandës në Ghent më 23 shtator, shkruajnë mediat në gjuhën angleze.
Oficerët e policisë në Angli kanë arrestuar shqiptarët Admir Canaj 38 vjeç dhe Astrit Ramoshi 37 vjeç. Ata u dërguan në burg, në pritje të ekstradimit drejt Belgjikës. Dy të arrestuarit akuzohen se kanë kontrabanduar shqiptarë drejt Britanisë së Madhe, duke i dërguar atje me kamionë.
Mërgimtarët, kryesisht shqiptarë paguanin deri 15 mijë euro (13 200 paund) për t’u nisur në rrugë drejt Britanisë. Si pjesë e operacionit, 37 shtetas shqiptarë u gjetën në një hotel në Gent. Hetuesit dyshojnë se ata ishin në pritje të transportit për në Mbretërinë e Bashkuar. “Të arrestuarit në Mbretërinë e Bashkuar tani përballen me ekstradim në Belgjikë, dhe ne do të vazhdojmë të ndihmojmë kolegët tanë belgë në hetime”, deklaroi Steve Reynolds, kreu i operacioneve të organizuara të krimit të imigracionit.
“Kontrabandistët e njerëzve i trajtojnë njerëzit si një mall për t’u shfrytëzuar dhe përfituar, dhe ne jemi të vendosur të trajtojmë ato rrjete që synojnë Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht se ku funksionojnë. Ky është një shembull i goditjes së kësaj veprimtarie kriminale”, tha oficeri. Operacioni u ndërmor nga policia belge dhe ajo angleze.
(d.xh/Balkanweb)