Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i personave të rrezikshëm në Tiranë, të cilët i kishin vënë gjobë 21 mijë euro një personi.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se në pranga kanë rënë shtetasit Nikolin Fili, i njohur edhe me emrin Aldo Tafa, dhe Eugen Liçi, pse Gentian Goxhaj (Vasili).

Këta dy persona, që kishin në përdorim dy emra e mbiemra, i kanë kërkuar me dhunë shokut të tyre, Alvaro Saliaj, shumën prej 21 mijë eurosh, pasi me të kanë pasur probleme edhe jashtë shtetit. Ata kanë pretenduar se kanë tentuar të bëjnë vetëgjyqësi, pasi Alvaro ua kishte borxh lekët, por janë zbuluar nga policia.

“Si rezultat i operacionit, në afërsi të Fushës së Aviacionit, është bërë i mundur bllokimi i automjetit me të cilin qarkullonin dy shtetasit e dyshuar N. F. alias A. T., 37 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim policor nga Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe E. L. alias G. G., 43 vjeç, banues në Tiranë, i kërkuar në Itali, pasi Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhër-arresti, për kryerjen e veprave penale “Bashkëpunim kriminal, me qëllim trafik droge”.

Ndaj shtetasit G. G., i cili ishte me masë sigurie “Arrest shtëpie” kanë nisur procedurat nga drejtësia shqiptare për njësim vendimi. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kishin vënë gjobë një shtetasi dhe kishin lënë vendtakimi për të marrë paratë”, thuhet në njoftimin e policisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb