Zbardhen detaje nga ngjarja në Vorë se si u zbuluan dy pako me kanabis brenda, që vinin nga Britania e Madhe, ndërsa në pranga ranë dy persona. Pas hekurave përfunduan Mariglen Vata, 18 vjeç dhe David Shehu, 18 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Këta të fundit dolën sot para gjykatës, ndaj të cilëve u caktua masa ‘arrest me burg’.

Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dosjen e prokurorisë, ku jepen detaje se si u zbulua sasia e kanabisit. Në dosje specifikohet se në datën 15 gusht nga shërbimet e Postës shqiptare në qendrën tranzit me seli në Vorë, u sinjalizua për mbërritjen e dy pakove, ku dërguesi ishte Alari Aderajo, në Londër, ndërsa marrësi, Ardit Brahaj, me adresë në Durrës. Ndër të tjera në dosjen e hartuar nga prokurori Bledar Valikaj, pesha totale e pakove është 1.5 kg.

Arrestimi i dy të rinjve u bë në vendin e quajtur “Rrethrrotulli”, Plepa në Durrës, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në taksinë me të cilën udhëtonte drejt Tiranës. Si rezultat i kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 pako kartoni, brenda të cilave ndodheshin 5 qese me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb