TIRANË

Operacioni “Forca e Ligjit” iu drejtohet me një kërkesë për vetëdeklarimin e pasurisë tre personave të tjerë të akuzuar për vepra të rënda penale.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se OFL iu është drejtuar shtetasve E.N, G.Ç. dhe M.B.

Njoftimi i OFL:

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë.

Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:

E. N., banues në Berat, arrestuar në vitin 2013, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

G. Ç., banues në Berat, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me 20 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim”.

M. B., banues në Tiranë, dënuar në Itali me 11 vjet burg, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikim droge”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: