Operacioni Forca e Ligjit iu kërkon burimet e pasurisë tre shtetasve të dënuar të vepra të rënda penale, nga Tirana dhe Bulqiza.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se duhet të deklarojnë pasurinë brenda 48 orëve shtetasit Petrit Merja, Kreshnik Spahiu, Aleks Dani alias Aleks Tërnova alias Idajet Tërnova.

Njoftimi i OFL:

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

P. M., me banim në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”;

K. S., me banim në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Vjedhja me dhunë”, “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim në formën e organizatës kriminale;

A. D. alias A. T. alias I. T., me banim në Bulqizë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: