Tre ekonomistë me qendër në Shtetet e Bashkuara fituan të hënën çmimin Nobel 2021 në ekonomi për studimet e tyre mbi ndikimet e pagës minimale, emigracionit dhe arsimit në tregun e punës dhe për krijimin e kuadrit shkencor për të lejuar nxjerrjen e përfundimeve nga studime të tilla kur metodologjia tradicionale nuk mund të përdoret.

David Card i Universitetit të Kalifornisë në Berkeley, i lindur në Kanada, do të marrë gjysmën e shpërblimit që vjen me çmimin, ndërsa gjysma tjetër do të ndahet mes Joshua Angristit i Institutit të Teknologjisë në Masaçusets dhe Guido Imbensit, me origjinë holandeze, 58 vjeç, i Universitetit Stanford.

Akademia Mbretërore Shkencave të Suedisë tha se të tre kanë “reformuar plotësisht punën e shembujve konkret në shkencat ekonomike”.

“Studimet e Cardit mbi çështje parësore për shoqërinë dhe kontributet në metodologji të Angristit dhe Imbensit kanë treguar se eksperimentet natyrore janë një burim i pasur dijeje,” tha Peter Fredriksson, kryetar i Komisionit të Nobelit për Shkencat Ekonomike.

“Hulumtimi i tyre ka përmirësuar ndjeshëm aftësinë tonë për t’iu përgjigjur pyetjeve të rëndësishme, gjë që ka qenë me përfitim të madh për shoqërinë.”

Në kërkimet e tij, zoti Card përdori përvojën e restoranteve në Nju Xhersi dhe Pensilvani për të matur efektet e rritjes së pagës minimale. Ai dhe partneri i studimeve Alan Krueger, që ka vdekur, zbuluan se një rritje në pagë minimale për orë pune nuk ndikon tek punësimi, duke sfiduar idenë se një rritje e pagës minimale do të ulte shkallën e punësimit.

Puna e akademikut Card sfidoi gjithashtu një ide tjetër mjaft të përhapur, sipas së cilës punësimi i emigrantëve ul pagat për punonjësit vendas. Ai arriti në përfundimin se të ardhurat e punonjësve vendas mund të përfitojnë nga emigracioni i ri dhe janë emigrantët më të hershëm ata që rrezikohen të preken negativisht.

Angrist dhe Imbens fituan për kontributin e tyre për zgjidhjen e çështjeve të metodologjisë që u mundësojnë ekonomistëve të nxjerrin përfundime të qëndrueshme për shkaqen dhe efektet, edhe kur është e pamundur të kryejnë studime sipas metodave rigoroze shkencore.

Duke folur me telefon nga shtëpia e tij në Masaçusets, Imbens u tha gazetarëve se kishte qenë në gjumë kur e kishi telefonuar.

“Kishim një fundjavë të ngarkuar.” tha Imbens. “Isha absolutisht i emocionuar kur dëgjova lajmet.”

Ai tha se ishte veçanërisht i emocionuar për Angristin, mik i tij i ngushtë që kishte qenë në dasmën e tij.

Ndryshe nga çmimet e tjera Nobel, çmimi i ekonomisë nuk ishte parashikuar në testamentin e Alfred Nobelit, por banka qendrore suedeze e shpalli atë në vitin 1968, dhe fituesi i parë u zgjodh një vit më pas.

Javën e kaluar, Çmimi Nobel për Paqen për vitin 2021 iu dha gazetarëve Maria Ressa nga Filipine dhe Dmitry Muratov nga Rusia për luftën e tyre në mbrojtje të lirisë së shprehjes në vende ku gazetarët janë përballur me sulme të vazhdueshme, ngacmime dhe madje edhe vrasje.

Ressa ishte gruaja e vetme e nderuar këtë vit në të gjitha kategoritë.

Çmimi Nobel për letërsinë iu dha shkrimtarit tanzanian i vendosur në Britani, Abdulrazak Gurnah, i cili u vlerësua për “përshkrimin pa kompromis dhe të ndjerë të efekteve të kolonializmit dhe fatit të refugjatëve”.

Çmimi për mjekësi iu dha amerikanëve David Julius dhe Ardem Patapoutian për zbulimet e tyre në mënyrën sesi trupi i njeriut e percepton temperaturën dhe prekjen.

Tre shkencëtarë fituan çmimin e fizikës për studime që gjetën rregull në sisteme që dukeshin pa rregull, duke ndihmuar në shpjegimin dhe parashikimin e forcave komplekse të natyrës, përfshirë zgjerimin e të kuptuarit tonë për ndryshimet klimatike.

Benjamin List dhe David W.C. MacMillan fituan çmimin e kimisë për gjetjen e një mënyre më të lehtë dhe më të pastër për mjedisin për të ndërtuar molekula që mund të përdoren për të bërë përzierje, përfshirë ilaçe dhe pesticide./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb