Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka marrë vendimin për t’i ndaluar kandidimin 4 aplikantëve për vakancat në Gjykatën Kushtetuese.

BalkanWeb mëson se i është ndaluar kandidimi avokatit Sergjia Mazreku, juristit Sinan Tafaj, ish-këshilltarit të Presidentit Shaqir Hasanaj dhe gjyqtares Zhaklina Peto.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme teksa 4 aplikantët e sipërpërmendur s’mund të vijojnë më garën.

Ndërkohë vijon procedura e verifikimit për dy aplikantë të tjerë, Sonila Bejtjan dhe Eugen Papandilen.

Në fakt aplikantët garonin për një vend në Gjykatën Kushtetuese, vakancën e të cilës e ka shpallur Ilir Meta më 22 nëntor 2019 pas shkarkimit të gjyqtarit Besnik Muçi nga Vettingu. Prej atëhere ky pozicion ka mbetur bosh.

NJOFTIMI NGA KED

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 05.10.2020, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, me këtë rend dite:

1. Informacion në lidhje me funksionimin efikas dhe efektiv të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

2. Shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

– Sergjio Mazreku

– Sinan Tafaj

– Sonila Bejtja

– Shaqir Hasanaj

– Zhaklina Peto

3. Vendimmarrja lidhur me lejimin/ndalimin e kandidimit të kandidatëve të mësipërm.

Në mbledhjen e sotme merrnin pjesë anëtarët e KED, anëtarët zëvendësues, përfaqësuesi i Avokati i Popullit, përfaqësuesit e Presidentit të Republikës, përfaqësuesi i Kryetarit të Kuvendit si edhe përfaqësuesja e OPDAT.

Mbledhja nisi me miratimin e rendit të ditës ku u propozua të futej në këtë rend dite edhe shqyrtimi i kandidaturës së Z. Eugen Papandile, për anëtar në Gjykatën Kushtetuese.

Anëtarët vijuan me miratimin e ndryshimit të rendit të ditës si dhe miratimin e procesverbalit të mbledhjes së datës 16.09.2020.

Në lidhje me pikën e parë të rendit të ditës, Zv.Kryetarja Znj. Vitore Tusha paraqiti përpara anëtarëve të KED, një informacion në lidhje me funksionimin efikas dhe efektiv të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. (materiali bashkëlidhur, klikoni këtu).

Shqyrtimi i rasteve të kandidatëve për vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese është vendosur në përfundim të procedurave të verifikimit rigoroz dhe të thelluar të ndjekura nga Këshilli, sipas ligjit dhe standardeve tashmë të njohura e të aplikuara që kërkohen për përzgjedhjen, qenien dhe konfirmimin në detyrën e magjistratit apo anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për secilin kandidat të përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi mendimin e Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi:

A. Ndalimin e kandidimit të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese si më poshtë:

1. Sergjio Mazreku,për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

2. Sinan Tafaj,për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

3. Shaqir Hasanaj, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

4. Zhaklina Peto, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

B. Të vijojë me procedurën e verifikimit për shyrtimin e gjetjeve, për kandidatët; Sonila Bejtja dhe Eugen Papandile, ditën e premte, datën 09.10.2020, ora 14.00.

Vendimet e plota dhe të zbardhura do të publikohen të arsyetuara në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Kandidatët për të cilët është vendosur ndalimi, kanë patur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë së 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb