Një 29-vjeçar shqiptar është dënuar me tre vjet e gjysmë burg pasi shkaktoi një aksident me vdekje në Flore të Britanisë. Ngjarja ndodhi në tetor të vitit të kaluar. Mediat britanike raportojnë se Juljan Shkambi, u paraqit në Northampton Crown Court të hënën, më 9 janar, pasi u deklarua fajtor për shkaktimin e vdekjes së një 40-vjeçari.

Përplasja fatale ndodhi në bypass-in A45 në Flore rreth orës 22:55 të së hënës më 3 tetor, kur një Vauxhall Zafira e kuqe që drejtohej nga Shkambi, ku udhëtonin dhe dy pasagjerë, ecte drejt Northamptonit, ndërsa hyri kundravajtje duke u përplasur ‘kokë më kokë’ me një mjet tjetër. Për pasojë shoferi i mjetit tjetër humbi jetën. Shkambi u arrestua së bashku me dy burra të tjerë, 48 dhe 43 vjeç, në lidhje me përplasjen fatale. Shkambi pranoi se ishte shoferi i makinës dhe se ishte i lodhur pas një dite të gjatë pune në Leicester kur mori vendimin për të nisur udhëtimin tre orë me makinë për në Luton, ku jetonte.

I riu shqiptar, duke qenë një shtetas shqiptar që hyri ilegalisht në MB në vitin 2021 nuk zotëronte patentë shoferi në Mbretërinë e Bashkuar. Shkambi u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg. Atij iu hoq e drejta nga drejtimi i mjetit për 5 vite të tjera. Gjykata shqiptoi dhe faktin se Shkambi gjithashtu mund të përballet me dëbimin drejt Shqipërisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb