DURRES

Gjyqtarja Mimoza Margjeka, e cila konsideroi nul zgjedhjet vendore të 30 qershorit dhe refuzoi t’i jepte mandatin kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sako, dyshohet të jetë përfshirë në një aferë korruptive. Me kërkesë të SPAK gjykata caktoi ndaj Margjekës masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar njoftoi se Margjeka, e cila së fundmi ishte caktuar për të ushtruar funksionin në Apelin e Korcës, mori rryshfet shumën prej 6 mijë eurosh dhe në këmbim liroi nga qelia të paraburgosurin Orion Bali, ndaj të cilit rëndonte akuza e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Nga hetimet rezultoi se Nejton Bali, vëllai i të paraburgosurit, Klaudjo Zhilla dhe avokati Skënder Demiraj i dhanë gjyqtares Margjeka një shumë të majme me qëllim që ajo të zbuste masën e sigurisë për Balin. SPAK thotë se nga hetimet rezultoi se paratë e rryshfetit iu dorëzuan bashkëshortit të gjyqtares, Arben Cara dhe menjëherë më pas, Margjeka mori vendim për ndryshimin e masës së sigurisë për të dyshuarin nga “arrest me burg” në garanci pasurore.

Prokuroria e posacme thekson se u përgjuan të gjitha lëvizjet e të dyshuarve, përfshirë edhe të gjyqtares e avokatit Demiri, ndaj të cilëve është caktuar masa e arrestit në shtëpi, edhe pse nuk sqaron se për cilat arsye ato nuk gjenden prapa hekurave, përderisa vepra penale për të cilën dyshohen është shumë e rëndë.

Në burg është dërguar burri i gjyqtares, shtetasi Arben Cara, Nejton Bali vëllai i të paraburgosurit që ka paguar paratë, dhe Klaudjo Zhilla, i cili dyshohet që të ketë luajtur rolin e ndërmjetësit. Gjyqtarja Margjeka dhe të dyshuarit e tjerë, pritet të dalin para gjykatës për seancën e marrjes në pyetje ku dhe do të mbajnë qëndrimin e tyre.

Margjeka aktualisht ishte duke iu nënshtruar procesit të vettingut dhe po jepte llogari për pasurinë, figurën morale dhe aftësitë profgesionale. Emri i saj u bë i njohur pas vendimit në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat i konsideroi të paligjshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb