Policia e Vlorës ka arrestuar një 43-vjeçar të dënuar me 12 vite burg për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Në pranga ka rënë shtetasi Gladiol Metushaj, i cili ishte në kërkim kombëtar, pasi sipas uniformave blu, ishte aoturi i pestë i ngjarjes së ndodhur më 19 mars të vitit 2015, në lagjen “4 Heronjtë”, Vlorë, ku u kap një sasi lënde narkotike 30 kg, e llojit çokollatë.

Njoftimi i policisë:

Vlorë

Finalizohet operacioni i koduar “Kanina”.

Vihet në pranga i kërkuari, i dënuar me 12 vite burg, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, krahas angazhimit maskimal për monitorimin e zbatimit të masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën intensive për goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave që qarkullojnë me armë dhe personave në kërkim.

Seksioni i Hetimit të Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e narkotikëve pranë DVP Vlorë, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kanina”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim kombëtar, Gladiol Metushaj, 43 vjeç, banues në Sarandë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, me vendim të formës së prerë, e ka dënuar me 12 vite burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

43-vjeçari është autori i 5-të i ngjarjes së ndodhur më 19 mars të vitit 2015, në lagjen “4 Heronjtë”, Vlorë, ku u kap një sasi lënde narkotike 30 kg, e llojit çokollatë, ngjarje për të cilën u kapën dhe arrestuan në flagrancë dhe 4 shtetas të tjerë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb