SHBA

Gjykata amerikane ka dënuar këtë të premte një shqiptar 26-vjeçar me 22 vjet heqje lirie, pasi ishte një mbështetës i ISIS dhe kishte deklaruar se “donte të vriste njerëz me sharrë elektrike”.

“Ju jeni një bombë shpërthyese”, i tha gjykatësi shtetasit nga Shqipëria Sajmir Alimehmeti, përpara se t’ia shqiptonte dënimin me 22 vjet heqje lirie për propagandë pro ISIS dhe mashtrim me pasaportat, shkruajnë mediat amerikane. I pandehuri është ndaluar dy herë, në tentativë për të ikur drejt Sirisë më 2014.

Alimehmetit iu gjetën në banesë një arsenal armësh të tmerrshme, si një sërë municionesh, një thikë e mprehtë, tre thika të tjera, dy thika që arrijnë të shpalosen, një sharrë elektrike, por edhe pranga. Gjyqtari i çështjes deklaroi se gjithë armatim ishte jashtëzakonisht i tmerrshëm dhe se Alimehmeti ishte një “bombë shpërthyese”.

Prokurori Emil Bove ra dakord me përfundimet e gjykatës, duke thënë se Alimehmeti madje këndonte vargje, ku bëheshin elozhe si të thereshin njerëzit në fyt në emër të ISIS. “Sharra elektrike ishte një armë e frikshme në duart e agresorit, që me të ai mund të bënte masakra”, deklaroi prokurori. Nuk është e qartë se përse Sajmir Alimehmeti përdorte pseudonimin “Dentisti”, por dihet se ai kur donte të shkonte në Siri, përdorte edhe shprehje se “iki për të bërë larje dhëmbësh”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Prokurorët kanë deklaruar se Sajmir Alimehmeti shikonte video horror, të njerëzve pa kokë, me qëllim që të stërvitej. Avokati mbrojtës i Alimehmetit tha para gjykatës se klienti i tij pasi u kthye në SHBA u përpoq të përshtatet me shoqërinë amerikane. Ai shpjegoi sesi Alimehmeti ishte radikalizuar që në moshë të hershme në Shqipëri dhe kishte dashur të kryejë sulme në një sinagogë në Amerikë.

Pasi Alimehmeti u arrestua në vitin 2016, ai u miqësua me një terrorist Ahmad Rahimi. Të dy janë dënuar për mbështetje të terrorizmit. Alimehmeti më në fund pranoi akuzën më 2018, duke thënë se u detyrua të gënjejë për pasaportat, pasi donte të shkonte të luftonte për ISIS në Siri.

Kellman e përshkroi klientin e saj si “të ri, të hutuar, të tjetërsuar, të izoluar dhe në kërkim të një vendi” kur u tërhoq nga ISIS dhe ideologjia radikale terroriste. Avokati argumentoi se përpos armëve në shtëpinë e shqiptarit, atij nuk iu gjet ndonjë plan për të kryer ndonjë akt terrori. Ai tha se klienti i tij nuk kishte ndonjë lidhje të madhe me njerëz të tjerë, pra se nuk ishte i inkuadruar në struktura të pastra të ISIS. Avokati tha se aq të pakta ishin lidhjet e tij me terroristë, sa në gjyqin e tij kanë dëshmuar vetëm 2 agjentë të fshehur e askush tjetër.

Vetë i pandehuri, Sajmir Alimehmeti i dënuar me 22 vjet burgim nuk pranoi të flasë për vendimin të premten, por ka dalë nga gjyqi me një buzëqeshje të madhe.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb