KRUJA

Një 47-vjeçar shqiptar është arrestuar në Krujë me qëllim ekstradimi në Itali. Agim (Artur) Likaj nga Arramerasi i Fushë-Krujës më 10 shtator të këtij viti ka marrë dënimin nga Gjykata e Milanos me 10 vite burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafik droge.

Gjatë kësaj kohe ai fshihej në Krujë teksa Policia shqiptare e ka gjetur, e ka arrestuar dhe tashmë do e ekstradojë në Itali.

 

NJOFTIMI NGA POLICIA

Krujë

Falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Policisë së Krujës lokalizohet, kapet dhe arrestohet një shtetas shqiptar i dënuar me 10 vjet burg, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, pas informacioneve të marra nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe Interpol Tirana për një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar që fshihej në Krujë, kanë organizuar punën për kapjen e tij.

Si rezultat, shërbimet e Policisë Krujë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e shtetasit të kërkuar, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt Italisë,  të shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

Agim (Artur) Likaj, 47 vjeç, banues në fshatin Arrameras, Fushë Krujë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Milanos, Itali, më datë 10.09.2020, e ka dënuar me 10 vjet burgim, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale për trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb