Njohësit e çështjeve diplomatike vlerësojnë se tani është momenti i duhur për zgjidhjen e kontestit për emrin e Maqedonisë. Profesori Llazar Llazarov vlerëson se ndërmjetësuesi i OKB-së për emrin, Metju Nimic këtë radhë në Shkup dhe Athinë vjen me zgjidhje dhe porosi konkrete.

“Shpresoj se valixhja diplomatike e ndërmjetësuesit të OKB-së, Metju Nimicit nuk do të jetë bosh, por do të jetë me disa rezultate, zgjidhje konkrete. Përpos atyre pesë zgjidhjeve: Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Re, Republika e Maqedonisë (Shkup), mbase sigurisht ka edhe porosi të tjera edhe nga ana e SHBA-ve edhe nga ana e Bashkimit Evropian që të gjendet zgjidhje” – deklaroi Llazar Llazarov, Profesor i pensionuar.

Sipas ish-ambasadorit, Gjorgji Filipov edhe pala maqedonase tashmë ka një qëndrim që do t‘ia prezantojë ndërmjetësuesit, Nimic. Spas tij, në takimin e liderëve të partive politike me Presidentin e vendit është marrë një qëndrim i përbashkët, edhepse nuk është zbuluar asnjë detaj për të njëjtin.
“Vlerësoj se gjithsesi është sjellë ndonjë qëndrim në atë bisedë të partive politike me Presidentin, Gjorge Ivanov por se është dakordësuar, dhe ashtu duhet, që të mos flitet për atë qëndrim. Pritet, me gjasë se si do të reagojë edhe pala tjetër dhe atë që ndërmjetësuesi, Metju Nimic do ta sjellë kështu që do të jetë edhe një shkëmbim i qëndrimeve, realisht afrim I ngadalshëm deri në ndonjë zgjidhje që mund t’i kënaq të gjitha palët”– tha Gjorgji Filipov, ish-ambasador.

Ekspertët vlerësojnë se çështja do të zgjidhet, për shkak se dy kryeministrat Zaev e Cipras janë të vendosur për këtë gjë. Sipas tyre edhe VMRO-ja do të mbështesë zgjidhjen për shkak se kjo e fundit do t‘i bindet presionit të ndërkombëtarëve dhe atij të brendshëm, respektivisht nga ana e qytetarëve./alsat

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: