SHKUP– Ekspertët vlerësojnë se integrimet në NATO dhe BE duhet të jenë pjesë e pyetjes së referendumit. Sipas gjykatësit Kushtetues, Osman Kadiu qëllimi i marrëveshjes me Greqinë është zhbllokimi i procesit euro-atlantik, gjë që sipas tij logjikisht dhe ligjërisht obligon inkuadrimin e procesit në përmbajtjen e pyetjes.

Kadriu shton se pyetja do të ishte jo ligjore në rast se në të përfshihen më shumë se dy elemente.

“Brendia e pyetjes në referendum duhet të reflekton rëndësinë e pyetjes për të cilën qytetarët duhet të përcaktohen me votën e tyre të lire. Marrëveshja e lidhur nuk duhet analizuar vetëm si një tërësi juridike dhe politike dhe si një dokument bilateral politik. Marrëveshja me Greqinë është në lidhje shkaktare, kauzale dhe të pandashme me proceset integruese të Maqedonisë dhe anëtarësimin e saj në NATO dhe BE. Nga kjo buron qartë edhe kushtëzimi i lidhjes së marrëveshjes së përmendur si nevojë e domosdoshme për integrimin vendit. Prandaj jam i mendimit se përveç marrëveshjes, proceset integruese duhet të jenë përbërës dhe element në pyetjen për referendum. Proceset integruese nuk votohen, por ato janë arsyetimi dhe shkaku esencial i marrëveshjes me Greqinë dhe kjo marrëveshje të jetë pyetje për referendum”, tha Osman Kadriu.

Sa i përket karakterit të referendumit, Kadriu vlerëson se ai duhet të jetë i detyrueshëm.

“Duke marrë parasysh natyrën e pyetjes, peshën dhe rëndësinë si dhe obstruksionet dhe kundërshtimet nga opozita, do të ishte më e mirë që të jetë referendumi i detyrueshëm pasi që atëherë edhe vetë referendumi si akt politik i rëndësishëm fiton kredibilitetin e tij”, shtoi ai.

Pushteti ka propozuar që pyetja të jetë e llojit: A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE duke pranuar marrëveshjen për emrin me Greqinë? Opozita nga ana tjetër ka kërkuar pyetje në të cilën përfshihet ndërrimi i emrit, marrëveshja e nënshkruar në Prespë duke përfshirë emrat e ministrave, Dimitrov dhe Kocias si dhe duke cilësuar anët siç opozita i quan, negative të marrëveshjes. Këto dallime bën që liderët në takimin e fundit të ndahen pa kompromis.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb