Në Shqipëri, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të kalojë kohën e mbetur të dënimit në shtëpi, 20 muaj, dhe jo më në burg. Vendimi u mor sot nga Gjykata e Elbasanit, nën juridiksionin e së cilës është dhe burgu i Lushnjes, ku Tahiri vuante dënimin prej 3 vjet 4 muaj burgim, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Avokati Maks Haxhia, i cili ka mbrojtur ish ministrin, shpjegoi se vendimi u mor pasi Tahiri sipas tij plotësonte të gjitha kushtet e parashikuara me ligj, që nga rrezikshmëria e ulët shoqërore e veprës për të cilën ai është akuzuar, te rrezikshmëria e ulët që paraqet ai vetë si person, fakti që i kanë mbetur më pak se dy vjet dënim, që ka fëmijë të mitur në ngarkim, dhe se bashkëshortja ka probleme shëndetësore që nuk e lejojnë të kujdeset për fëmijët. “Ka një akt ekspertimi mjeko-ligjor, i cili vërteton se bashkëshortja vuan nga një sëmundje, e cila në momente krizash, ia bën të pamundur t’i shërbejë fëmijëve”, deklaroi zoti Haxhia.

Ish ministri i Brendshëm detyrohet që të mbajë kontakte me Shërbimin e provës, dhe sipas vendimit të Gjykatës, mund të lëvizë nga banesa vetëm “për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare kur Shërbimi i provës është dakord”.

Në Shkurt të vitit të kaluar, pas një odiseje të gjatë gjyqësore, zoti Tahiri u dënua nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila la në fuqi vendimin e marrë në vitin 2019 nga Gjykata e atëhershme e Krimeve të rënda, por me ndryshimin që dënimin do të duhej ta vuante në burg dhe jo me shërbim prove. Gjykata riformuloi në “Shpërdorim detyre”, akuzat e rënda të ngritura nga Prokuroria sipas së cilës ish ministri duhej të vuante 12 vite burg për “Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”; “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal”.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Elbasanit për Tahirin, për vuajtjen e dënimit të mbetur në shtëpi u prit me nota kritike nga opozita e cila e konsideroi “një turp të drejtësisë dhe si një nxitje për thellimin e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”, siç u shpreh në një deklaratë, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi. Sipas tij “lirimi para kohe me kusht i tij është një tallje e drejtësisë me drejtësinë. Ndërsa qytetarët shqiptarë presin nga drejtësia e re ti jepet fund pandëshkueshmërisë, zyrtarët e lartë të korruptuar përfitojnë nga vendime gjyqësore thellësisht politike, që i shndërrojnë dënimet e tyre në qesharake”.

Ish ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën organizatën e vëllezërve Habilaj. Në përgjimet e kryera, emri i zotit Tahiri përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve. Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e tij, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë prove. Në maj të vitit 2018, zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Zoti Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019.

Çështja ndaj tij është ende në pritje të shprehjes së Gjykatës së Lartë, pas ankimimit të bërë si nga Prokuroria, e cila këmbëngul në akuzat e saj, por dhe nga vetë ish ministri, i cili e ka cilësuar “skandaloz” vendimin e Apelit të Posaçëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb