MALËSI E MADHE

Policia e Malësisë së Madhe ka arrestuar një 21-vjecar, të quajtur Ernest Fsharri, i dyshuar për një sërë vjedhjesh në Koplik dhe rrethina.

Ky shtetas dyshohet se vidhte në objekte kulti, por gjithashtu se ka kryer edhe të tjera vjedhje në këtë zonë.

Për këtë arsye, Fsharri u prangos dhe do të përgjigjet për disa akuza që ngrihen kundër tij, që kanë të bëjnë me vjedhjen.

Njoftimi i policisë:

Malësi e Madhe, Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kopliku”.

Vidhte në objekte kulti, lokale dhe në qendrën shëndetësore, arrestohet në flagrancë një 21-vjeçar, i cili u kap gjatë operacionit duke vjedhur në një nga objektet e kultit.

Sekuestrohen sendet e vjedhura në objektet e kultit.

Zbardhen dhe katër vjedhje të tjera të kryera nga ky shtetas.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë si dhe kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë së Malësisë së Madhe, bazuar në informcionet e marra në rrugë operative për një të ri, i cili po kryente vjedhje në objektet e kultit dhe në lokale në Koplik, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kopliku”.

Si rezultat i operacionit të mirëorganizuar u bë e mundur kapja dhe  arrestimi në flagrancë i shtetasit Ernest Fsharri, 21 vjeç, banues në fshatin Koplik i Sipërm.

Ky shtetas gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme në qytetin e Koplikut, kishte vjedhur në Kishën Katolike sende që përdoren për kryerjen e meshave.

Gjithashtu në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin Gruemirë Çezme, kishte vjedhur në lokalin  në pronësi të shtetasit G. P., si dhe në fshatin Koplik i Sipërm kishte vjedhur xhaminë e fshatit ku kishte vjedhur një sasi vlere monetare rreth 10.000 lekë.

Pas njoftimit të marrë, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Kopliku”, ku falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, është bërë e munduar kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i shtetasit E. F., të cilit gjatë momentit të arrestimit iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe sendet e vjedhura në këto tre objekte.

Gjithashtu nga hetimet e kryera deri në këto momente rezulton se ky shtetas është autor edhe i disa ngjarjeve të ndodhura në fshatin Koplik i Sipërm konkretisht:

Më datë 03.01.2020, në fshatin Koplik i Sipërm, ka vjedhur me thyerje qendrën shëndetësore të këtij fshati.

Më datë 12.01.2020, në fshatin Koplik i Sipërm, ka vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit R. N.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vazhdon puna për zbulimin e ngjarjeve të tjera ku mund të jetë i implikuar ky shtetas.

 (d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb