DURRËS

Zbulohet identiteti i 52-vjeçarit, që vrau veten brenda Komisariatit të Durrësit. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se i ka dhënë fund jetës shtetasi Tonin Tuci, i shoqëruar për dhunë në familje.

Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, SHÇBA ka proceduar dy punonjës policie, të cilët i akuzon për shpërdorim detyre, ndërsa sqaron se 52-vjeçari e ka ndërmarrë aktin e rëndë në momentin që familjarët e tij po shpjegonin në polici rrethanat e ngjarjes për dhunën në familje.

Njoftimi i plotë:

SHÇBA procedon 2 punonjës policie për shpërdorim detyre, pasi një i shoqëruar për dhunë në familje u vetëvar në paraburgim

Në datën 1 gusht, në mbrëmje, në ambientet e dhomave të shoqërimit të DVP Durrës, nga personeli policor u gjend i vetëvarur shtetasi T.T. Ai ishte shoqëruar për rreth 3 orë, si i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”, nga policia lokale.

Familjarët kishin denoncuar dhunën e 52-vjeçarit, nëpërmjet një telefonate në numrin unik 112 dhe policia kishte ndërhyrë menjëherë.

Nga hetimet paraprake të SHÇBA, rezulton se viktima ka qenë nën efektin e pijeve alkolike dhe akti është kryer në kohën kur familjarët e tij po shpjegonin në Polici, rrethanat e ngjarjes për dhunën në familje.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, të pranishëm në vendngjarje dhe veprime proceduriale, vazhdojnë të kryhen hetime  për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe zbatimin e procedurave standarte nga punonjësit e policisë.

Për punonjësit e policisë:

– A.Ç., në funksionin e ndihmës specialistit në Zyrën e Informacionit në DVP Durrës;
– G.B. me detyrë Specialist i Policimit në Zonë,

si dhe struktura policore, të cilat sipas funksionit organik dhe procedurave standarde ngarkohen me përgjegjësi të veprimeve konkrete që lidhen me menaxhimin e kësaj situate po kryhen hetime për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërkohë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit menjëherë ka nisur hetimin disiplinor për të nxjerrë përgjegjësitë në zbatimin e procedurave standarde.

#SHÇBA08009090
#112PoliciaeShtetit

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb