TIRANE- “BalkanWeb” mëson emrin e deputetit që do të drejtojë komisionin hetimor për çështjen e trafikut të drogës ku është i përfshirë edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Komisioni hetimor parlamentar përbehet nga 11 deputetë, ndërsa siç mëson “BalkanWeb” kryetar do të jetë nënkryetari i PD-së, Edi Paloka.

Gazetarja Elda Menga raporton për “BalkanWeb” se krahas kryetarit, anëtarët e tjerë të PD-së do të jenë si vijon: Enkelejd Alibeaj, Myslym Murrizi dhe Flamur Noka.

Po ashtu mësohet se nga LSI-ja anëtar do të jetë deputeti Endrit Brahimllari.

Ndërsa postin e nënkryetarit të komisionit do ta mbajë socialistja Ermonela Felaj.

Priten të zbardhen edhe emrat e 4 përfaqësuesve të PS.

Komisioni do të kontrollojë veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore në parandalimin dhe goditjen e fenomenit të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, përfshirë çështjen për të cilën Prokuroria po heton z. Saimir Tahiri ish-Ministër i Brendshëm.

Po ashtu do të verifikohet cdo lloj dyshimi per ndikim të paligjshëm në ushtrimin e ndjekjes penale në mënyrë të pavarur nga organet kompetente te ngarkuara me ligj, në hetimin penal të këtij rasti.

“Ky hetim do të synojë mbrojtjen e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, shtetin e së drejtës dhe demokracinë funksionale, me qëllim parandalimin e pasojave negative përshtetin, qytetarët dhe interesin publik si dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete institucionale. Komisioni hetimor, i ngritur sipas këtij vendimi, bashkë me raportin përfundimtar i paraqet Kuvendit në seancë plenare rekomandime në lidhje me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh, dhe sipas rastit, njoftimin e organeve përgjegjëse për marrjen e masave të mëtejshme ligjore”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb