TIRANE- Arrestohet Lefter Sulkaj, pronari i kompanisë farmaceutike “Sulkaj” shpk, njëherazi ish-administrator i një spitali privat në Tiranë, i cili ka qenë në kërkim për mashtrim.

Gazetari Klajdi Bodlli raporton për ‘BalkanWeb’ se Sulkaj ka mashtruar një numër të lartë personash dhe 4 banka të nivelit të dytë së me paratë që iu merrte do i bënte aksionarë në biznesin e tij. Ndaj tij gjykata kishte vendosur masën e sigurisë ‘Arrest me burg’.

NJOFTIMI I POLICISE
Nga specialistët për hetimin e krimit ekonomik dhe financiar u ndalua shtetasi në kërkim:
– Lefter Sulkaj, 50 vjeç, banues në Tiranë.

Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal.

SKEMA E MASHTRIMIT
Gjykata e Apelit caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Sulkajn në 18 gusht të vitit të kaluar, nën akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda.

Më herët burime nga prokuroria thanë se Sulkaj, ka përfituar shumë të konsiderueshme parash, të cilat ua zhvaste qytetarëve të ndryshëm, duke iu premtuar se do t’i bënte aksionerë në kompaninë e tij apo në spitalin privat. Nga hetimet ka rezultuar se njërin nga qytetarët, ai e ka emëruar për një periudhë 2 mujore si administrator të spitalit privat dhe në këmbim i ka marrë shumën prej 500 mijë eurosh. Gjithashtu ka dyshime të forta, se Sulkaj ka përfituar shuma të mëdha, edhe nga kreditë bankare, ku ka lënë si kolateral asetet e kompanisë së tij dhe shtëpitë e vëllezërve. Mashtrimet u zbuluan pas denoncimeve të bëra në adresë të tij nga qytetarë të ndryshëm, mes të cilëve dhe nga djali i dajës së të dyshuarit.

Si fillim gjykata caktoi masën e ‘arrestit me burg’ në mungesë ndaj Sulkajt, i cili u ndalua teksa ndodhej me pushime. Por më pas gjykata e zbuti masën ndaj pronarit të ‘Sulkaj’ shpk duke e dërguar në ‘arrest shtëpie’. Por për shkak se nuk ishte dakord me këtë vendim, prokuroria e apeloi atë.
Një treshe gjykuese e apelit vendosi të prishë vendimin e shkallës së parë dhe ta ashpërsojë sërish masën e sigurisë për këtë të dyshuar. Nga arrest shtëpie, Apeli caktoi për të dyshuarin masën e arrestit me burg dhe mbi bazën e saj. Prokuroria tha se po heton të gjitha rastet e mashtrimit, për të cilat ka dyshime se Sulkaj i ka kryer në bashkëpunim edhe me zyrtarë të lartë në bankat e nivelit të dytë në vend.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb