Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Elbasan, ku një shtetas është plagosur me armë gjahu pas një konflikti për motive të dobëta. Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, është arritur të identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
I arrestuari, Ilir Dedja, 32 vjeç, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes, dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu shtetasin B.B., 53 vjeç, gjatë një mosmarrëveshjeje. 53-vjeçari ka marrë plagë në këmbë dhe është transportuar për ndihmë mjekësore, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka finalizuar operacionin “Reagimi”, i cili ka çuar në kapjen e autorit.
Gjatë kontrollit të banesës së Dedjas, forcat policore gjetën një armë zjarri automatike me silenciator dhe armën e gjahut me të cilën dyshohet se autori ka plagosur viktimën. Gjithashtu, është sekuestruar municion luftarak. Arma e zjarrit me silenciator është dërguar për ekzaminim në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme. Në kuadër të hetimeve, është proceduar edhe një 35-vjeçar, A.M., për moskallëzim krimi, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka denoncuar. Materialet hetimore janë kaluar në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Plagosi me armë gjahu një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori.
I arrestuari, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
Gjatë operacionit policor të koduar “Reagimi”, Policia i gjeti në banesë autorit të dyshuar një armë zjarri automatike me silenciatorë, armën e gjahut me të cilën dyshohet se plagosi 53-vjeçarin dhe municion luftarak.
Arma e zjarrit me silenciator u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminim të mëtejshëm, për të parë nëse kjo armë është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të ndodhur më parë.
Procedohet penalisht dhe një 35-vjeçar, për moskallëzim të krimit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte shkuar në spital, për të marrë ndihmë mjekësore, i dëmtuar në këmbë, dyshuar me armë gjahu, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Reagimi”.
Si rezultat i operacionit, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit Ilir Dedja, 32 vjeç, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 32-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë gjahu shtetasin B. B., 53 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Më tej, në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka kallëzuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
(Balkanweb)