VLORË

Identifikohet 40-vjeçari që mbeti i vrarë në Vlorë. Bëhet fjalë për shtetasin Bledar Birçaj, pronar i një lokali të njohur në Vlorë. Gazetari Enrik Mehmeti raportoi për “BalkanWeb” se Birçaj po lëvizte me automjetin tip “BMW” me targa AB 797 CS kur është qëlluar nga një automjet po në lëvizje.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se Gjykata e Lartë ka dhënë një vendim me paditës Birçaj, i cili kërkonte dëmshpërblim nga shteti për burg të padrejtë.

Sipas vendimit të dhënë nga gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit, përsa i përket rrethanave të faktit, rezulton se paditësi Bledar Birçaj është arrestuar pasi dyshohej për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë; “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”; si dhe “Shkatërrim prone”, parashikuar nga nenet 78-22-25; 278/2 dhe 150 të Kodit Penal.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.23 datë 27.01.2011, ka vlerësuar si të ligjshëm ndalimin e shtetasit Bledar Birçaj, të kryer më datë 24.01.2011 dhe ndaj tij është vendosur si masë sigurimi personal ajo e “arrestit në burg” me afat 45 ditë.

Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.90 datë 09.03.2011, ka caktuar si masë sigurimi “arrestit në burg” pa afat.

Më vonë, mbi kërkesën e paditësit Bledar Birçaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.220 datë 26.04.2011, ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” me masën e sigurimit “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” dhe masën detyruese “ndalim të daljes jashtë shtetit” deri në përfundim të hetimeve.

Në përfundim, me vendimin datë 25.07.2011 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, është vendosur pushimi i hetimit penal në ngarkim të Bledar Birçaj në lidhje me procedimin penal nr.107 të viti 2011.

Ndërkohë që Kolegji Administrativ i GJL vendosi prishjen e vendimit nr. 348 datë 05.03.2014 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb