FIER

Policia e Fierit ka arretuar një 36 vjecar, pasi lëvizte nëpër qytet me kallashnikov, ndërsa dyshohet se me armën e zjarrit do të kryente një krim të trefishtë.

Sipas policis së Fierit, I.P mund të kryente vrasje të trefishtë, pasi disa persona nuk ia kishin kthyer një borxh.

Gazetari Ervis Kuci raporton për “Balkanweb” se në pranga ka përfunduar Ilirjan Progonati.

Njoftimi i policisë:

Fier

Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale e cila mund të përfundonte në vrasje të trefishtë.

Finalizohet me sukses nga policia operacioni i koduar “Parandalimi”.

Operacioni nga DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e  Policisë dhe FNSH Fier, për parandalimin e përshkallëzimit të një konflikti që mund të çonte në vrasje të trefishtë me armë zjarri.

Vihet në pranga autori i dyshuar i ngjarjes, të cilit iu gjet e sekuestrua edhe arma e zjarrit tip automatik.

Arrestohet gjithashtu edhe një 59-vjeçar, pasi përkrahu autorin e ngjarjes duke e fshehur atë.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Polciisë Fier, në  bashkëpunim me Komisariatin e Policisë dhe me mbështetjen e FNSH-Fier, pas marrjes së informacionit mbrëmjen e djeshme se një shtetas po qarkullonte me armë zjarri kallashnikov në qytet dhe dyshohej se mund të kryente një vrasje të trefishtë, menjëherë organizuan punën duke zhvilluar operacionin policor të koduar “Parandalimi”.

Përgjatë natës dhe paradites së sotme, është rrethuar zona dhe janë zhvilluar dhjetra kontrolle në ambiente, në rrugë, në automjete me pika kontrolli, në  banesa të braktisura, në disa banesa të të afërmëve të personit të dyshuar, pasi  personi i dyshuar në momentin që ka parë që po afrohehsin shërbimet e policisë ka mundur të largohet në rrugët e brendshme të lagjeve të qytetit  duke përfituar dhe nga errësira.

Falë kontrolleve të shumta, krehjes së zonës dhe shërbimeve grackë, mesditën e sotme u bë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit I. P., 36 vjeç, banues në Fier.

Gjithashtu u arrestua për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” shtetasi A. M., 59 vjeç, pasi kishte fshehur gjatë natës  në banesën e tij shtetasin I. P.

Po gjatë operacionit policia gjeti dhe sekuestori edhe armën kallashnikov me të cilën ky shtetas dyshohet se do kryente krim të trefishtë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi I. P., 36 vjeç, banues në Fier, pas një konflikti për motive të dobëta në lagjen “15 Tetori”, me shtetasit L. P., 30 vjeç; K. P., 25 vjeç dhe A. P., 28 vjeç, banues në Fier, është larguar nga vendngjarja për të siguruar një armë zjarri dhe është rikthyer me synimin për t’i vrarë shtetasit e lartpërmendur, por sapo ka parë shërbimet e policisë të afroheshin drejt tij, është larguar me shpejtësi.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier, falënderon qyetarët për bashkëpunimin dhe besimin e treguar te Policia për të denoncuar raste të tilla të cilat çojnë në parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale  dhe fton sërisht ata që të denoncojnë në 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë, pasi Policia është e bindur se me bashkëpunimin dhe besimin e qytetarëve, krijohet një ambient më i sigurt për të gjithë shoqërinë.

 (d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb