Një person ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi u kap me një sasi kokaine.

Burime zyrtare bënë me dije se pas hekurave ka rënë shtetasi Artur Zhuleku, i cili është kapur në zonën e Komunës së Parisit.

Ky i fundit është kapur me rreth 400 gram lëndë narkotike të llojit kokainë.

NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Komuna”, për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së drogave të forta. Vihet në pranga 1 shtetas që shpërndante doza kokaine. Sekuestrohet një pako me 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e gatshme për t’u ndarë në doza.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në të dhënat e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Komuna”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. Zh., 47 vjeç, banues në Tiranë. Në rrugën “Bill Klinton”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin A. Zh., të cilit, gjatë kontrollit fizik, i gjetën dhe i sekuestruan 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike kokainë, e përgatiste atë në doza dhe i shpërndante ato në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonën e Komunës së Parisit. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: