NGA ENIDA HIMAJ

TIRANE- Sezoni që sapo kemi mbyllur ka qenë mjaft impenjativ për stil isten e mirënjohur, Enada At’Nikolla. Për herë të parë ajo ka sjellë në Shqipëri një parfumin nën emrin e saj. Shumë shpejt At’Nikolla do të renditet krahas brendeve ndërkombëtarë nëpër botë. Nga ana tjetër, shumë optimiste e sheh edhe modën në vendin tonë, ku sipas Enadës, shqiptarët janë njerëz dashamirës që e kanë përqafuar shpejt modën. Nuk lë na pa rrëfyer edhe një copëz të pushimeve të saj prej ‘pasanikeje’. Saint Tropez, Palma de Majorca, këto edhe shumë vende të tjera janë destinacioni i preferuar i familjes për këtë verë.

Vini me një risi, si ju erdhi ideja për të sjellë një parfum nën sloganin At’Nikolla?
Është një ide që vjen natyrshëm kur je stilist. Sigurisht që kërkon një farë kohe dhe pjekje që të arrihet si ide dhe realizim i dëshirës. Kur krijon dhe merresh me fushën e modës, vjen krejt normalisht si ide. Po të kemi parasysh, krijuesit e parë të parfumeve kanë qenë gjithmonë stilistët.

A ishte e shtrenjtë të sillje një parfum në Shqipëri?
Parfumi prodhohet në Itali dhe nuk është një çmim i shtrenjtë, nuk ka dalë në treg me një çmim të shtrenjtë. Mendova ta sjell me një çmim të arsyeshëm, kushton 70 euro. Shumë shpesh i ndjej të largët njerëzit që kanë dëshirë të hynë në atelie dhe do të doja t’i afroja nëpërmjet këtij parfumi.

A ka qenë e vështirë ta integroje në treg, të tërheqë vëmendjen mes markave botërore si ‘Dolce & Gabbana’, ‘Versace’?
Aktualisht parfumi është në treg dhe unë u ndodha zbuluar në krahasim me kërkesat që pati ky treg. Nuk mendova që do të kisha kaq shumë kërkesa. Vetëm unë jam shqiptare, sepse parfumi nuk prodhohet në Shqipëri. Mund të shitet në të njëjtën formë dhe intensitet edhe jashtë Shqipërisë. Tashmë kemi parë shumë që emrat e parfumeve që sot përdoren nuk janë më brendet ndërkombëtare, por emra të rinj. Vjen një moment që pasi e ke përdorur gjatë një parfum të famshëm, heq dorë dhe zgjedh diçka tjetër, që shpeshherë është edhe më i shtrenjtë sesa parfumet e “njohura”. Ka të bëjë me guston si dhe ku e gjen veten.

Për kë femër është parfumi, a ke një target-grup në kokë?
Është një pyetje që ma bëjnë shpesh dhe më vjen për të qeshur. Parfumi është për një moshë më të pjekur, për femra më të skalitura. Edhe vajzat e reja ditët e fundit e kanë kërkuar shumë, por është ideuar për femrat e realizuara, që dinë se çfarë kërkojnë.

A është një industri fitimprurëse, ka sjellë të ardhura të kënaqshme për ju?
Është në fakt një produkt fitimprurës. Tani që po merrem me këtë punë, kam marrë vesh që edhe disa stilistë të mirënjohur e kanë nisur nga parfumet apo nga produktet kozmetike. Kjo është një pikë që unë duhet ta mendoj dhe të mos e neglizhoj, nëse dua që të shtoj të ardhurat e mia.

Si ka qenë vera në atelienë tuaj, sa e angazhuar keni qenë?
Problemi është se punë ka pasur shumë, unë kam dashur që të iki me pushime. Kam pasur shumë që kanë dashur fustane dhe veshje për ceremoni të ndryshme, apo edhe të huaj, por gjithë kjo punë më ka kapur mes pushimeve. Unë vij 5 ditë, qëndroj këtu, punoj, pastaj iki përsëri për pushime. Besoj se kështu do të jetë deri nga mesi i shtatorit.

A është shtuar numri i femrave që sot kërkojnë veshje për përdita dhe jo vetëm për ceremoni?
Në fakt këtu, pjesa dërrmuese bën veshje për jetën e përditshme jo për raste. Pavarësisht se në vetëm ato veshjet e veçanta të ceremonive. Atelieja është për të gjithë ata bëjnë veshje për të përditshmen e tyre.

Dukeni sikur keni një stil klasik, a bëni kompromise me tendencat e fundit të modës?
Bëj kompromis shumë të mirë me tendencat në fakt dhe ecim paralel. Stili im është i njëjtë me atë çfarë është në modë, sepse edhe unë vetë eci me modën. Të gjithë, duam apo s’duam jemi të influencuar nga çfarë është tendencë. Në fund unë krijoj atë çfarë dhe vetë më pëlqen, duke qenë se ndjek modën.

A vishen mirë shqiptarët sot, e kanë ndryshuar mënyrën e të veshurit?
Në fakt vishen mirë. Mua gjithmonë më janë dukur sikur vishen mirë, edhe kur janë veshur keq. Kjo sepse shumë gjëra janë sipas mundësive, ka të bëjë njohja e tendencave të fundit. Sigurisht që të bëhen njësh me Evropën, duhet kohë, nuk është faji jonë për këtë, zhvillimi në këtë mënyrë na erdhi. Jemi dashamirës për modën si dhe kemi shumë gusto. Kjo nuk është për të gjithë masën, ashtu si jo në të gjithë botën sheh njerëz që vishen gjithnjë bukur.

Si i shikon Enada femrat e ekranit, a kanë stil?
Kanë stil dhe e dallon që secila prej tyre ndër vite e kanë ruajtur karakterin e tyre nëpërmjet veshjes. Vend për t’u veshur edhe më mirë patjetër që ka, por vishen bukur.

A ka ndonjë që vishet skandal dhe nuk e ndjek kurrë modën?
Edhe ka, por nuk preferoj ta them. Ndoshta sepse të gjithëve i qëllon që ndonjëherë të mos vishen bukur.

A janë në modë femrat e mbushura?
Gjithmonë bukurinë te një femër e kam parë sesi e jeton dhe sesi e shijon veten. Sa gëzim dhe ajër ka përreth dhe kur të jetë e mërzitur t’i ketë lezet. Më pëlqejnë femrat kur janë jetësore me të mirën dhe të keqen e tyre. Jo gjithmonë femrat e veshura më bukur janë ato më të hollat, ky është fakt tashmë.

A keni menduar ndonjëherë të bëni një operacion dhe të biesh disa kile?
Jo, nuk e kam menduar ndonjëherë. Sigurisht që do të ndjehesha më mirë po të kisha një trup tjetër. Unë kam pasur dhe forma më të mira dhe tani nuk e kam shumë problem, ia gjej vetes veshjen. Gjithnjë premtoj që do të merrem me palestër dhe e anashkaloj. Tani në shtator do të merrem më seriozisht, sepse palestra të bën mirë jo vetëm për peshën, por edhe mendjen. Ditët që shkoj në palestër kthehem më e relaksuar në shtëpi.

A keni gjetur kohë për pushimet, si ju gjeti vera?
Më gjeti shumë të lodhur. Kam pasur disa projekte njëherazi, që u deshën realizuar dhe kjo të merr shumë kohë. Përveç sfilatës në Drimadhes, që si pa dashje mori kohën e vet, dolëm me një revistë, “Bordo”, që kërkonte një impenjim më vete. Por natyrisht edhe parfumi, kështu që nuk ishin për t’u anashkaluar si nga vëmendja, nga koha dhe kërkonin edhe që unë të lodhesha. Mezi po i prisja pushimet.

Ku ka pushuar këtë verë Eneda?
Fillimisht ishim në Saint Tropez. Më pas me miqtë tanë ishim dhe në Palma de Majorca, që kishim dhe një dasmë të një miku tonë. Ditët e fundit mezi po prisja të kthehesha në Shqipëri. Gjithmonë dita e fundit më duket e tepërt. Kisha dëshirë të vija në Shqipëri, në fund fare, njeriu çlodhet vetëm në shtëpinë e tij.

A bëni pushime miliarderësh?
Jo, ne pushojmë si njerëzit “e pasur”. Sigurisht që kërkojnë një lloj të ardhurash që të pushosh në këto vende. Pushojmë mirë dhe ia kalojmë shumë mirë.

Si janë përgjithësisht pushimet tuaja, zgjidhni aktivitete fizike, apo një relaks të plotë?
Nga viti në vit zgjedhim të pushojmë ndryshe, për shkak edhe të moshës dhe lodhjes që kemi pasur. Këtë vit kishim nevojë për pushim total, zgjodhëm një hotel të mirë, ose më mirë butik hotel, me sa më pak dhoma. Ishim me fëmijët dhe donim të qetësoheshim me të vërtetë. Shijuam diell, ushqim të mirë, miqësi të mirë. Pushimet që do të vijojnë do të jenë më të rrëmujshme, sepse edhe shoqëria është e tillë.

Keni parë disa vende turistike nëpër botë, çfarë i mungon turizmit shqiptar?
Shërbimi, sipas asaj që mendoj unë. Do të duhet që shërbimi në Shqipëri të kthehet në profesionalizëm, sepse asgjë tjetër nuk i mungon. Deti është i mrekullueshëm, shumë herë më i bukur se çdo det tjetër që kam parë. Investimet po bëhen në mënyrë të kufizuar, dhe me të drejtë, se janë vetëm tre muaj ku ti mund t’i shfrytëzosh. Nëse shërbimi do të ishte më cilësor, mund të përdorej edhe në dimër. Sepse të gjithë kemi dëshirë ta shijojmë detin në dimër, edhe pse nuk mund të lahemi.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: