Makina e televizionit me priste tek një karburant në hyrje të rrugës “Don Bosko”. Do të xhironim një kronikë për lypësit dhe të pastrehët në Tiranë dhe kishim lënë një takim në qendrën Sociale/ ditore në Laprakë. Aty na prisnin dy punonjëset e terrenit me të cilat kisha folur në telefon që të premten.

Fillimisht ato më treguan se çfarë bën qendra e tyre, pra, ushqim për të pastrehët, lypsarët apo këdo që ishte në nevojë mund të vinte aty dhe të hante një vakt ushqim ose dy.

Kishte pak njerëz që vinin vërdallë, dera e kuzhinës ishte hapur, një zonjë po lante enët.
I kërkuam punonjësve sociale që të na ndihmonin me një ose dy persona që lypin dhe janë të pastrehë në mënyrë që t’i merrnim një intervistë, ata filluan të bëhen konfuze dhe s’po u vinte ndërmend njeri dhe më pas më thanë që vetëm dy të pastrehë janë në zonën e tyre, por që s’i gjetëm dot pasi binte shi.

Kështu hipim në makinë dhe nisemi nga Lapraka te “Zogu i Zi”, “Myslym Shyri”, parku “Rinia”, për të parë vendet kur rrinë lypësit zakonisht, dhe për dreq gjatë gjithë kësaj rruge, nuk pamë asnjë.

Armandi, kameramani, për batutë në makinë tha “t’u lyp për lypsa” dhe qeshëm për inerci të tre, bashkë me shoferin Shkëlzenin. Ndalemi të Pallati i Kongreseve, ku po na priste Silva Vllaka dhe Vera, dy punonjëse sociale të qendrës së Shkozës, bashkë me Agronin, i pastrehë që do ta intervistonim.

Agroni (1)
Agroni (1)

Agroni pas tre muajve mbushte 65 vjeç, me origjinë ishte nga Libohova e Gjirokastrës, por që kishte jetuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Siç na tregoi ai, ka qenë i birësuar, por që familja birësuese nuk e kanë dashur dhe që në moshën 12-vjeçare, ishte endur rrugëve. Nuk e di sesi por na tregoi se kishte mbaruar gjimnazin Partizani, dhe nuk e di për çfarë arsye, por që kishte bërë 8 vite burg politik nga regjimi komunist. Kishte hyrë 23 vjeç dhe kishte dalë, 30, 31 vjeç. Që prej asaj kohe ai sërish ishte endur rrugëve sa në një qytet në tjetrin dhe së fundmi ishte vendosur në Tiranë, ku ditën e kalonte rrugëve, pa kërkuar gjë, pa kërkuar lëmoshë, por kushdo që e njihte e ndihmonte, ndërsa për të fjetur kishte fjetur te stadiumi “Qemal Stafa”, por prej 6 muajsh që kur filloi punimet stadiumi ri, ai ishte zhvendosur dhe natën e kalonte te pallati i kongreseve poshtë shkallëve nga krahu ku qëndrojnë zyrat e bashkimit europian, si për ironi.

Aty në mes të pllakave, kishte shtruar një plasmas dhe mbi të një batanije ku kalonte natën.
Kur e pyes se si ia bën me të ftohtin, atë e kap një dridhje e lehtë dhe më thotë: “Para tre netësh me kapën ca ethe që, thashë se vdiqa.”

Falënderonte zotin që s’kishte qenë sëmurë asnjëherë, si dhe i ishte mirënjohës institutit të të përndjekurve politik, të cilët i kishin mundësuar një shumë prej 10 000  lekësh në muaj. “Tani pres të dal në pension”-  më tregoi, por që nuk kishte lekë të bënte dokumentacionin përkatës, si dhe priste dëmshpërblimin për burgun politik.

Ajo që ai kërkon ishte një shtëpi, qoftë edhe një barakë e vogël, ku të kalonte natën.

(pjesa tjetër e bisedës është publike në intervistën e transmetuar në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”)

Agroni (2)
Agroni (2)

Me Agronin krijova afrimitet, sepse ai nuk ishte një endacak i zakonshëm, ai ishte i kulturuar, kishte dëshirë shumë për të folur, por i përzgjidhte fjalët.
Më vonë në takimet e shpeshta që kisha me Agronin, mësova edhe arsyen e vërtetë të burgosjes së tij.

Një ditë kishte qenë duke pirë kafe më shokët e tij aty ku sot njihet si 9-katëshet, aty kishte kaluar një vajzë e veshur me fustan, “veshje e guximshme” për kohën, dhe disa djem teksa kalonin aty fillojnë ta ngacmojnë vajzën duke e quajtur veshje perëndimore dhe të turpshme dhe ia grisin fustanin në mes të rrugës. Agroni teksa e sheh këtë skenë ngrihet dhe grindet me djemtë, të cilët i thonë që partia nuk e lejon këtë veshje, i nxehur siç ishte, Agroni e godet njërin prej djemve dhe i thotë: “Të kam dhjerë mu në parti”, vetëm për këtë fjalë ai do të kalonte gjithë jetën e tij në burg.

Në takimet tona Agroni më thoshte se historia e tij është për t’u bërë libër dhe me të fiton çmimin “Nobel”, më kishte premtuar se do ta shkruante historinë e tij dhe më pas unë do të përpunoja, ndërsa unë i thosha, jo, ti do të ma tregosh dhe unë do ta shkruaj, por një gjë e tillë nuk ndodhi kurrë.

Kur unë i thosha që librin biografi të jetës së tij do ta quajmë “Endacaku”, ai më thoshte jo nuk më pëlqen, dua ta quaj “Djali i Rrugës”
U bënë disa kohë që se kisha takuar kur mësova lajmin se ai kishte ndërruar jetë në spital. Ishte sëmurë kohët e fundit.

Kur spitali i kishte komunikuar se duhet të dilte dhe të shkonte në shtëpi sepse nuk kishin çfarë t’i bënin më ai i kishte thënë se ka humbur çelësin, mjekët e kuptojnë se ai nuk dëshironte të vdiste i vetmuar, kështu që e mbajtën në spital ku dhe ndërroi jetë.

Agroni prehet në një cep të varrezave të Tufinës, në varrimin e tij morën pjesë shumë pak veta, dhe ato ishin prej stafit të emisionit, për fat të keq unë nuk isha.

Agroni u largua nga kjo jetë si një “djalosh” i cili kishte virtytet e tij çmuara dhe unë po përpiqem të rikujtoj ato pjesë të historisë së tij që ai më pati treguar, por për dreq e kam shumë të vështirë.

Ndoshta një ditë, do të shohë dritën e botimit romani biografik “Djali i rrugës”, i cili tregon historinë e një të përndjekuri politik, të cilit regjimi i tmerrshëm komunist ia shkatërroi jetën.

Por të paktën Agronit iu plotësua dëshira e tij, e fundit të cilën ma shprehu kur e intervistova për herë të parë, “të kem një strehë, të vdes atje të paktën, jo këtu jashtë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: