Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, do të vizitojë ditën e sotme Kosovën. Vizita në fjalë do të jetë 3 ditore.

Në njoftimin nga Zyra e BE-së në Prishtinë është bërë e ditur se Lajçak gjatë vizitës në Kosovë do të takohet me kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e partive kryesore opozitare.

“Gjatë vizitës së tij Lajçak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai planifikon të vizitojë edhe Prizrenin dhe veriun e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Fjalimi për media i emisarit Lajçak është planifikuar për të mërkurën, 29 qershor.

Kjo vizitë e Lajçak vjen pas Samitit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që u mbajt më 23 qershor, ku përveç retorikës së kamotshme se BE është e përkushtuar ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit, nuk doli diçka konkrete nga ky samit as sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën.

Megjithëse kishte shpresa se do të lëvizte diçka në këtë drejtim, Kosova vazhdon të mos e gëzojë të drejtën e lëvizjes së lirë ndonëse Komisioni Evropian dy herë ka theksuar se vendi i ka plotësuar kushtet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: