Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luiggi Soreca deklaroi se vendet e rajonit që presin të anëtarësohen në BE kanë ende detyra shtëpie për të bërë.

I pranishëm në konferencën XVI të komisioneve parlamentare Soreca teksa dha mesazhin e tij për deputetët, theksoi se këta të fundit kanë rol jetik në qeveri, sa i përket zbatimit të reformave, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar. Ai tha se mund të ketë zhvillime pozitive për vendi tonë në samitin e Këshillit të BE-së, që do të mbahet në Bruksel në muajin mars.

“Liderët e BE do të diskutojnë procesin e zgjerimit në Këshill në mars, bashkë me liderët e rajonit. Këshilli i marsit mund të sjellë rezultate pozitive. Këtë javë presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen deklaroi se nëse samiti i Zagrebit do të jetë i suksesshëm, BE do të bëjë detyrat e saj. Procesi i Zgjerimit do të nisë bazuar në propozimet e komisionit. Por ka detyra shtëpie për t’u bërë në rajon. Ne duhet të punojmë për angazhime dhe qeveritë në rajon duhet të punojnë. Ju si parlamentar keni rol jetik në qeverinë tuaj sa i përket zbatimit të reformave, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar. Roli i parlamenteve nuk mund të nënvlerësohet. Integrimi në BE kërkon vendosmëri politike. Ju jeni në zemër të këtij procesi, luani rol jetik. Integrimi në BE nuk është qëllim në vetvete. Ju si anëtar të parlamentit keni rol të rëndësishëm. Nuk është gjithmonë dialogu, por ai është jetik për një progres të suksesshëm por edhe për procesin e integrimit në BE. Dialogu nuk është i rëndësishëm vetëm për vendin, por mes vendeve, qeverive të rajonit. Stabiliteti nuk mund të arrihet në izolim. Rajoni në nëntor u bashkua pas pasojave të tërmetit në Shqipëri. Solidariteti që kemi parë këto javë ka qenë i madh. Ju mund të besoni se BE është në anën tuaj dhe në frymën e dialogut ju uroj një diskutim të suksesshëm.”, tha Soreca.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb