I ftuar në studionin e emisionit ‘Kjo javë’ me Nisida Tufën, mjeku i njohur infeksionit, foli edhe mbi metodikën e kurimit të të shtruarve me Covid 19 në spitalin Infektiv. Ndër të tjera Pipero u ndal edhe në përdorimin e deksametazonit, i vlerësuar edhe në një studim të Oxfordit si medikamenti që ul vdekshmërinë e pacientëve të prekur nga virusi.

“Që në fillim të herës kortizonikët kanë qenë pjesë të skemave të trajtimit, edhe ne i kemi përdorur dhe deksametazoni është klasa e kortizonikëve. Nuk ka studim të mirëfilltë, është bërë një konstatim, dhe është vënë re që atje ku është përdorur deksametazoni, numri i vdekjeve numri i personave të shpëtuar ka qenë relativisht më i madh, por rezultatet nuk janë kaq shumë inkurajuese të deksametazonit.” tha Pipero ndërsa zbuloi edhe skemën që ndiqet në Shqipëri për të prekurit me covid 19.

“Skema e mjekimit te ne ka qenë, antiviral, antibiotik, kortizonik sipas gravitetit të sëmundjes, oksigjeno terapi dhe antikoagulant, kjo është skema që është përdorur kudo, kur flasim për antibiotikët, këtu fusim edhe antiinflamatorët. Dhe deksametazoni në këtë rast përdoret si antiinflamator jo kortizonik apo si imunodepresor. Deri sot që flasim, nuk ka një medikament anti Covid dhe duhet të kemi në konsideratë se agjenti që shkakton Covid 19 është virus dhe ndaj viruseve ka shumë pak medikamente sot për sot në botë.Ndaj Covid 19 ende nuk ka një medikament të certifikuar, që të na japë optimizëm. Ndërkohë vijojnë studimet mbi prodhimin e një vaksine, janë 15 apo 16 molekula vaksinash në provë, prejt të cilave njëra është futur në provën masive, dhe shpresojmë ta kemi përpara fundit të vitit.” -u shpreh Pipero.

Ndër të tjera Pipero, sqaroi edhe efektet e virusit në personat asimptomatik.

“Studimet e dëshmojnë se pjesa më e madhe e qytetarëve, pavarësisht moshës që bien në kontakt me sëmundjen e kalojnë me shenja klinike, madje diku thuhet se edhe 90% e kalojnë pa shenja klinike, por pse je pa shenja klinike nuk do të thotë se nuk je burim infeksioni për dikë tjetër. Me rëndësi është kujdesi që duhet treguar për veten dhe një monitorim në kushte shtëpie për të vlerësuar edhe temperaturën, kollën dhe ecurinë, së paku për 7 deri në 10 ditë, dhe nëse ka probleme të telefonojë 127, por pjesa më e madhe që bien në kontakt e kalojnë pa shenja klinike.” – vijoi më tej Pipero.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb