Programi “Dola te Ola” këtë të diel nisi me këngën “Triumfi i jetës”, me të cilën Endri dhe Stefi morën pjesë në Festivalin e 60 të Këngës. Interpretimi që u transmetua në studio ishte shkëputur nga nata e dytë e Festivalit, ku vëllezërit korçarë e kënduan këngën e tyre konkurruese me artisten e madhe Myfarete Laze.

Vëllezërit korçarë shkëlqyen në Festivalin e 60-të Këngës. Gjatë programit ata folën për emocionet që përjetuan në tri netët e Festivalit, për duartrokitjet dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që morën nga publiku.

“Triumfi i jetës” është një këngë shumë aktuale për kohën në të cilën po jetojmë, pasi iu dedikohet të gjithë atyre që fatkeqësisht kanë humbur jetën nga Covid-19. Vëllezërit korçarë fituan çmimin “Ferdinand Deda”, një çmim që jepet nga orkestra e RTSH-së.

Ata u shprehën të lumtur dhe të vlerësuar për faktin se ky çmim u dha nga 45 instrumentistë profesionistë.

Endri dhe Stefi ndanë  në “Dola te Ola” edhe rezervat dhe zhgënjimin e tyre për mënyrën sesi u organizua Festivali, si u trajtuan këngëtarët, si dhe për mënyrën sesi juria bëri vlerësimin e këngëve. Ata rrëfyen se që në promovimin e këngëve pjesëmarrëse,  organizatorët u përqendruan vetëm te dy këngë, dhe më pas te ndarja e çmimeve ku kënga “Triumfi i jetës” nuk u fut as në katërshen e parë.

Ata shprehën kritika për këngën fituese, ku siç thanë, teksti i këngës “Sekreti” nga Ronela Hajati nuk ishte nivelin e duhur për të përfaqësuar vendin tonë në Eurovision.

Teksa u pyetën nëse e prisnin çmimin e parë, Endri dhe Stefi thanë se e prisnin dhe e dëshironin vetëm për mesazhin që mbartte kënga e tyre dhe që Shqipëria të përfaqësohej ashtu siç e meriton në festivalin europian.

Ata e cilësuan “Triumfin e jetës” një këngë të madhe, teksa falënderuan krijuesit e saj Jetmir Barbullushin për muzikën, poeten Zhuliana Jorganxhi për tekstin, dhe për orkestracionin Shpëtim Saraçin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: