TIRANË

Përmes një video të publikuar në facebook, ish deputeti i PD-së, Endri Hasa shkruan se u dëshmua publikisht se Vangjush Dako ka blerë vota për Edi Ramën edhe në këto zgjedhje. Hasa i referohet deklaratave të bëra nga nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Alket Braho.

“Nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Alket Braho, dëshmoi publikisht se Vangjush Dako ka blerë vota për Edi Ramën edhe në këto zgjedhje. Vangjush Dako u shpall non grata nga SHBA, por, de facto, drejton Bashkinë e Durrësit, në bashkëpunim me Edi Ramën. Ndiqni një pjesë të dëshmisë së nënkryetarit socialist të Bashkisë. Nga dëshmia e tij, konfirmohet ajo që të gjtihë e dinë në Durrës se Vangjush Dako, në cilësinë e bankomatit të Edi Ramës, përcakton kush merr cilin tender në Bashkinë e Durrësit.”- shkruan Hasa ndërsa shton se dy gjëra janë sot urgjente:

“1. Miratimi i vettingut në politikë për të pastruar politikën nga korrupsioni dhe politikanët e lidhur me krimin.

2. SPAK të nisë hetimet për blerjen e zgjedhjeve nga Vangjush Dako, për korrupsion dhe ndërhyrje në tendera, bazuar në deklaratën e nënkryetarit socialist të Bashkisë së Durrësit.

Është rasti për t’u treguar të pavarur dhe për të justifikuar miliona euro të shpenzuara nga aleatët tanë për një drejtësi që lufton korrupsionin, edhe kur ky çon tek kryeministri.”- përfundon Hasa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb