NGA ENIDA HIMAJ

TIRANE- Për Endrit Mërtirin ka ikur koha e famës brenda kufijve të Shqipërisë. Fotografi i talentuar ka prekur ëndrrën e tij; ai tashmë është pjesë e familjes së firmës së madhe “Dolce&Gabbana”, dhe është pikërisht vetë stilisti Stefano që e shfaq hapur vlerësimin për të. Stilisti i mirënjohur e ka quajtur të riun shqiptar, gjeneratën e re të “D&G”. Ky fakt e ka emocionuar jo pak Endritin, i cili modestisht rrëfen për “Bluetooth” se sekreti i suksesit qëndron te dashuria për fotografinë, si një burim i pashtershëm energjie. Nga ana tjetër, duket se nuk do të jetë e largët dita kur fotografi do t’i bashkohet përfundimisht familjes së “D&G”. E deri atëherë, ai do të vijojë të mbetet i preferuari i VIP-ave shqiptarë. “Janë ndryshe të gjithë, kjo është vështirësia dhe e bukura njëkohësisht”, – përfundon Endriti.

Prej kohësh duket se “keni fituar zemrën” e Gabbana- s, ditët e fundit ai ka shkruar se ju jeni gjenerata e re e familjes së madhe të “D&G”; si u ndjetë kur e patë këtë postim?
Shumë i lumtur dhe i emocionuar njëkohësisht! Është ndjesi mjaft e mirë kur puna jote vlerësohet dhe pëlqehet nga një guru i modës si Stefano Gabbana. Shpresoj që të më shërbejë si një ogur i mirë për karrierën time.

Çfarë do të thotë kjo për Endritin?
Për mua do të thotë shumë, vlen jashtë mase për një fotograf mode si unë, kur një emër i madh i modës shkruan ato fjalë. Më pas, çdo punë timen unë e dërgoj tek ai, për të marrë këshilla dhe kritika, pasi kjo vlen shumë për mua. Kjo nuk është hera e parë që ju komplimentoheni nga gjiganti i modës, Gabbana.

Nga e ka njohur ai punën tuaj?
Fillimisht nga rrjeti social “Instagram”, ku ai ka pikasur punën time.

Çfarë mendoni se e ka “joshur” Gabbana-n nga fotografitë e Endritit?
Nuk di ta them me saktësi, por deri tani jam i lumtur dhe i mjaftuar me faktin që ai e pëlqen punën time.

Keni marrë pjesë në eventet që “D&G” organizon; çfarë risillni në mendje, ku ndryshojnë nga eventet e modës në Shqipëri?
Janë si nata me ditën. Flasim për evente gjigante, ku do duhej një ditë ë tërë përshkrimi detajesh. Fatkeqësisht në Tiranë shoh gjëra shumë modeste krahasimisht me sfilatat dhe shfaqjet e ndryshme atje, por shpresoj shumë që një ditë jo të largët të ketë organizime të kësaj natyre edhe në Shqipëri.

A keni diskutuar ndonjëherë rreth një projekti të përbashkët?
Po, disa herë, dhe pres me padurim bashkëpunimin e parë zyrtar me “Dolce&Gabbana”.

Nëse merrni një ftesë për të qenë pjesë e stafit të tij, do ta braktisnit karrierën tuaj në Shqipëri për t’u shpërngulur në Itali?
Dëshira për të qenë pjesë e familjes “Dolce&Gabbana” si staf i tyre është një ëndërr, por të them të vërtetën, do e kisha të vështirë të shpërngulesha nga Shqipëria, pasi kaluan 10 vjet punë dhe një treg mjaft kaotik, që mezi e kam krijuar tashmë, me shumë lodhje, punë dhe sakrificë.

Ndërkohë jeni një ndër fotografët më të realizuar në vendin tonë; a keni një formulë suksesi?
Formula ime është mjaft e thjeshtë: unë e dashuroj punën që bëj dhe i përkushtohem me gjithë qenien time. Kurrë nuk e kam parë si biznes fotografinë, edhe pse është kthyer e tillë. Por fotografia për mua është burim i pashtershëm me energji dhe dashuri; pa fotografinë jeta ime do ishte shumë e trishtë.

Përse të gjithë VIP-at zgjedhin Endrit Mërtirin?
Ma thonë gjithmonë hapur, më duan shumë, ndihen shumë komodë me mua, i bëj një ambient shumë komod për t’u fotografuar dhe nxjerr më të mirën prej tyre.

Si është të punosh me personazhet publikë, sa ‘tekanjozë’ janë ata?
Janë ndryshe të gjithë, kjo është vështirësia dhe e bukura njëkohësisht, pasi njeh diversitete. Disa janë tekanjozë, disa pozojnë si modelë… Janë ndryshe, ka nga më të ndryshmit, energjitë e të cilëve janë një lojë e mrekullueshme në jetën time. Ka personazhe shumë të bukur dhe që aparati i do dhe japin shumë, ka dhe nga ata të ngathëtit.

Sipas Endritit, cili është imazhi që e fotografoni gjithnjë me dëshirë; po personazhi që nuk do të donit ta fotografonit kurrë?
Nuk kam askënd që nuk dua ta fotografoj. Ka raste kur më lodhin me teka, por mundohem t’i kuptoj dhe të gjej një gjuhë të përbashkët me ta. Suksesi im është që, kur punoj me dikë kthehet e rikthehet gjithnjë te unë dhe unë tek ata. Pra, i dua të gjithë në mënyra të ndryshme, pasi janë të gjithë ndryshe, dhe me të mirat dhe të këqijat që kanë e bëjnë botën time artistike më të lëvizshme dhe me emocion.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: