Ish-këshilltari bashkiak i PD, Akil Kraja një ditë pas publikimit të listës së demokratëve ka publikuar një video me titull ‘’Përse politika’’.
Kraja thotë se të kesh ëndrrën e politikës është ëndrra për një të ardhme.

Ai thotë se më 25 prill Shqipëria fiton pasi kur fiton vendi fitojnë gjithë shqiptarët. Për Krajën, ambicia që ka programi demokrat dhe ekipi i Bashës e ka secili prej shqiptarëve.

”Përse politika?

Disa përfshihen me kredenciale profesionale, të tjerë falë biografisë familjare. Por ka dhe nga ata të cilët përfshihen në politikë falë mbështetjes kriminale. Të gjithë synojnë votat, votat tuaja. Kjo është politika, të kërkosh të fitosh një garë elektorale. Por në fund, pyetja që ka rëndësi është për çfarë. Unë besoj se i vetmi çelës, ai që i hap dyert e vërteta të politikës, të përfaqësimit, të votëbesimit të qytetarëve, është Ëndrra e Madhe. Ëndrra për një Shqipëri që Fiton, ëndrra për një komb të fortë, me paga të larta e arsim cilësor. Me shëndetësi jo falas, por moralisht të pranueshme. Cilësisht të garantuar e thjeshtësi të aksesueshme. Ëndrra për një ekonomi që krijon oportunitete, mundësi dhe mirëqënie për të gjithë bazuar mbi meritokraci dhe garën e lirë.

Të kesh ëndrrën e politikës është të kesh njëherazi dellin e një krijuesi, energjinë e një sipërmarrësi dhe këmbënguljen e një shpikësi që eksperiment pas eksperimenti, dështim pas dështimi, sukses pas suksesi, nuk ndalet kurrë deri sa mbarë bota të gjëmojë Eureka. Të kesh ëndrrën e politikës është të kesh dëshirën të krijosh, por dhe të ndryshosh rrjedhën e ngjarjeve. Është të kesh talentin të materializosh një telajo bosh, një vëzhgim unikal.

Të gdhendësh në një gur çfarëdo skulpturën më të arrirë.  Të kesh ëndrrën e politikës do të thotë të ndërtosh të ardhmen, por duke mbrojtur të shkuarën. Të kesh premtimet në realitet, programet në arritje. Të kesh ëndrrën e politikës është të kesh ambicien për një Shqipëri që fiton, etjen për një ekonomi të begatë, besimin për përkatësinë europiane të kombit tonë, bindjen se ky vend bëhet, naivitetin për të besuar se çdo gjë mund të ndryshohet, dhe për të sjellur ndryshime që askush nuk i shihte të mundshme.

Kjo është ambicia e programit demokrat dhe e ekipit Basha dhe jam i bindur, kjo është ambicia e secilit prej nesh. Kjo është ëndrra e çdo shqiptari që jeton në Shqipëri, Kosovë apo diasporë. Është moral pune, edukatë e përditshme, qëllim për të gjithë ne. Ndaj më 25 prill, Shqipëria fiton sepse kur fiton vendi ynë fitojnë të gjithë.”- tha Kraja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb