TIRANË

“Pashë një ëndërr të frikshme, do të shkoja në një ceremoni të rëndësishme, isha veshur e gjitha me të zeza, pas 12 ditësh kuptova që kjo ëndërr më kishte paralajmëruar për ngjarjen më të rëndë të jetës, vdekjen e babait tim”. Një grua nga Tirana ka sjellë këtë eksperiencë tronditëse në emisionin “Jeta pa filtër” në News24.

Ajo tregon detaje nga jeta e saj në lidhje me ëndrrat të cilat e paralajmërojnë për çdo gjë që i ndodh. Një tjetër vajzë ka rrëfyer po ashtu rastet kur ka arritur të parashikojë në ëndërr ngjarje të rëndësishme. Ato kanë treguar gjithashtu edhe për eksperiencat e tyre në lidhje me njerëzit që kanë aftësinë të parashikojnë atë që do të ndodhë tek të tjerët. Në gjuhën popullore këta persona konsiderohen si fallxhore ose thjesht parashikues fati.

Në një intervistë për emisionin, psikologia e njohur Fleura Shkëmbi thotë se: “Njerëzit janë të prirur të shkojnë drejt këtyre personave që hedhin fall kryesisht kur gjenden në momente të vështira, kur ka diçka që ne nuk arrijmë ta pranojmë, apo kemi frikë. Këta persona rrezikojë varësinë dhe komandimin e jetës së tyre nga dikush tjetër. Për sa i përket ëndrrave që tregojnë gjithçka ashtu si ndodh në realitet nuk mund të flasim pasi nuk e kemi të vërtetuar shkencërisht”.

Ndërsa studiuesja e mistereve Elisabet Mato Skëndo tregon eksperiencën e saj personale. Ajo thotë se vetë i shpjegonte ëndrrat që kur ishte 18-vjeçe, por i është dashur të lexojë shumë që të kuptonte veten. Sipas saj shqisa e gjashtë është ajo që mund të shpjegojë të gjitha këto fenomene të mistershme. Disa persona e kanë këtë shqisë dhe arrijë të parashikojnë disa të tjerë jo dhe nuk arrijë dot të kuptojnë. Emisioni “Jeta pa filtër” transmetohet çdo të mërkurë ora 10:20 në ekranin e TV News24.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: