Nga KLODIANA LALA*

Aksioni kundër vjedhësve të energjisë, ndërtimeve pa leje, apo “gjuetia” për “shoferët” që drejtojnë mjetin pa patentë ka shtuar dukshëm numrin e dosjeve penale që po ndiqen nga prokuroria. Një fakt i tillë bie në sy referuar statistikave të institucionit, që drejtohet nga Petrit Fusha, ku përgjatë vitit 2014 janë regjistruar jo pak, por plot 4030 procedime më shumë sesa viti pasardhës. Në analizën njëvjetore të punës së këtij institucioni thuhet: “Një volum të konsiderueshëm pune në tremujorin e fundit të vitit 2014 ka përbërë edhe vepra penale ‘Vjedhje e energjisë elektrike’, ku në referimin dhe hetimin e rasteve të kësaj vepre ka ndikuar bashkëpunimi mes policisë dhe ‘CEZ Shpërndarje’ sh.a. ,(aktualisht OSHEE). Konkretisht nga 730 procedime penale të regjistruara në vitin 2014 për nenin 137 të Kodit Penal, me referim të shërbimeve të policisë në bashkëpunim me OSHEE-sha., 561 procedime janë regjistruar në tremujorin e fundit dhe kryesisht me persona të arrestuar”, thuhet në material. Në vijim, prokuroria thekson se ka pasur një numër të lartë të hetimit për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” apo “Ndërtimi i paligjshëm”.

Kërkesa për prokurorët

Gjatë analizës së volumit të punës, drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Fusha, u ka kërkuar vartësve të tij të jenë kujdesshëm sa u përket kërkesave për caktim mase sigurie, pasi ka pasur jo pak raste kur është firmosur për pushimin e çështjes. Në një kohë që i dyshuari për veprën penale ka qëndruar nën masën e sigurisë arrest me burg.

“Numri i ulët i procedimeve penale të pushuara, ku të pandehurit ose personat nën hetim kanë qenë në gjendje arresti, tregon se ka vazhduar t’u kushtohet një vëmendje e madhe vlerësimit të provave që në momentin e caktimit të masës së sigurimit, me gjithë problemet që u evidentuan më sipër. Në konkluzion, për vitin 2015 është e nevojshme që të bëhet edhe më shumë kujdes përsa i takon momentit të caktimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, duke u kujdesuar që “arresti në burg”, të jetë vërtet një masë përjashtimore dhe të caktohet në ato raste kur vlerësohet që masat e tjera janë të papërshtatshme”, thuhet në material. Trupës së prokurorëve u është kërkuar të kryejnë hetime cilësore, duke mos përdorur si argument volumin e lartë të punës.

Masat e dënimit

Duket se edhe prokuroria e ka një ankesë për gjyqësorin. Prokurorët ankohen se në jo pak raste, gjykata ka firmosur për dënime të lehta, në një kohë që nga ana e tyre, është kërkuar një dënim më i ashpër për autorin e veprës penale. “Edhe për këtë vit (2014) politika e dënimit e kërkuar nga prokurori është më e ashpër se sa dënimet që janë dhënë nga ana e gjykatës. Në 327 raste më tepër është kërkuar nga prokurori dënim me burgim dhe në 221 raste më tepër gjykata ka aplikuar pezullimin e dënimit. Politika e dënimit përsa u takon veprave të rënda dhe sensitive, veçanërisht kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, kultivimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike, etj.. ka qenë e ashpër dhe në përputhje me rrezikshmërinë e tyre, shkallën e përhapjes, si dhe rëndësinë përsa i përket ndjeshmërisë publike. Është treguar vëmendje që rast pas rasti, të kërkohet para gjykatës, që përveç dënimeve kryesore, të caktohen edhe dënime plotësuese”, thuhet në material.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb